Sport

Liverpooli i bashkohet Chelseat në finale të Kupës EFL

Diogo Jota shënoi nga një gol në secilën pjesë për t’ia siguruar Liverpoolit finalen e “Carabao Cup”.

Të enjten në mbrëmje, Liverpooli fitoi kundër Arsenalit me rezultatin 2:0 në stadiumin “Emirates”.

Golat për skuadrën e drejtuar nga trajneri Jurgen Klopp, Jota i shënoi në minutën e 19-të dhe në minutën e 79-të. Pavarësisht se i ka luajtur vetëm dy ndeshje në “Emirates Stadium” për Liverpoolin, Diogo Jota është golashënuesi më i mirë i “të kuqve” në këtë arenë me katër gola të realizuar gjithsej.

Skuadra e Arsenalit nuk e pati forcën të kthehej në lojë. Madje në minutën e fundit të ndeshjes, Thomas Partey u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë. Në ndeshjen e parë gjysmëfinale ndërmjet këtyre dy skuadrave, me të kuq u ndëshkua mesfushori shqiptar, Granit Xhaka. Ai duel u mbyll pa gola.

Liverpooli do të luajë në finale të Kupës EFL kundër Chelseat më 27 shkurt. Kjo finale zhvillohet në stadiumin “Wembley”.