Sport

Prishtina prezanton Agim Zekën

Kampionia në fuqi e Kosovës në futboll, Prishtina të enjten mbrëma e ka prezantuar sulmuesin, Agim Zeka. Ai te klubi i Prishtinës ka kaluar pas gjashtë muajve të kaluar te Drita. Zeka është shprehur i lumtur për kthimin te Prishtina. Te Prishtina është zhvilluar si futbollist para se të luante për disa klube të ndryshme në Evropë.

“Prishtina është klubi i zemrës dhe jam rikthyer me shumë dëshirë. Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe është nder për mua të paraqitem për ekipin në këtë vit kur edhe festohet 100 vjetori i themelimit të klubit. Tash e disa ditë kam nisur përgatitjet me ekipin, tashmë jemi në Antalia dhe çdo gjë po shkon shumë mirë. Jemi duke punuar për të qenë të përgatitur maksimalisht për stinorin pranveror. Premtoj edhe atomin e fundit kur të më jepet mundësia për të mirën e skuadrës, Prishtina gjithmonë synon vetëm majat”, ka thënë Zeka për faqen zyrtare të klubit.

Ai është bashkë me klubin në përgatitje në Antalia për pjesën pranverore të Superligës në futboll. Zeka 23-vjeçar ka luajtur më herët edhe për Skënderbeun, ekipin e dytë të Lille, pastaj në Portugali te Varzimi dhe Leixoes, ndërsa luajti edhe në Hoandë te Fortuna Sittard.

Ai karrierë ka bërë edhe në Belgjikë te Mouscroni dhe te Austria e Vjenës. Për Dritën së fundi luajti gjashtë ndeshje në stinorin vjeshtor.