Sport

Lladrovci akuzon për keqmenaxhim: Kryesia që e çoi në kulm Feronikelin, po e fundos atë

Kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci, ka bërë të enjten akuza të rënda publike ndaj ish-kryesisë së klubit nga Drenasi. Mbrojtësi Lladrovci ka shkruar për keqmenaxhim, ndërsa ka theksuar se kryesia që e ka ngritur në majë klubin, po e fundos Feronikelin.

Lapidar Lladrovci është djali i kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, që po ashtu llogaritet i afërt me klubin që dikur ishte kampion i vendit. Feronikelin e ka kapluar krizë e rëndë, ndërsa largimi nga Superliga duket i pashmangshëm. Në pranverë Feronikeli pritet të paraqitet kryesisht me lojtarë të grupmoshës së juniorëve.

Lapidar Lladrovci është gjatë pjesë e Feronikelit. Ai ishte pjesë e Feronikelit në procesin kur klubi nga inferior u shndërrua në forcë të futbollit kosovar. Lladrovci ka rreshtuar sukseset e Feronikelit për të dalë te gjendja aktuale.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të vitit që kemi lënë pas. Një vit shumë i vështirë për ekipin, me probleme financiare të mëdha dhe borxhe të shumta të papaguara, të cilat kulmuan me bllokimin e merkatos nga futbollistët të cilët kërkojnë të drejtën e tyre, që t’u përmbushen kontratat. Dikur krenaria e qytetit dhe klubi me të cilin identifikohej Drenasi, sot i zhytur në borxhe nga keqmenaxhimi. Kryesi e cila e çoi njëherë në kulm klubin dhe në fund po e fundos. Gabimi më i madh ishte afrimi në kryesi i njerëzve që ishin larg me sportin të cilëve nuk u interesonte shumë performanca e klubit, sepse nuk ishin të kësaj fushe”, ka shkruar Lladrovci.

Ai është drejtuar me pyetjen “pse kryetar?”, në postimin në rrjetet sociale.

“Klubi nuk ka merituar të lihet sikur të ishte fëmijë bonjak, i rritur me shumë mund. Shumë kryesi, lojtarë, staf teknik e dashamirës të sportit nga Drenasi dhe më gjerë kanë vënë në shërbim të klubit dije, përvojë, mjete, djersë, gjak e shumë dashuri, për ta ngritur në nivelet e arritura. Tash pa arsye të fuqishme po shkon drejt falimentimit”, ka shkruar mbrojtësi Lladrovci.

Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen e fundit të kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, me donatorët dhe ish-kryetarin e klubit, nuk është arritur ndonjë rezultat.

Lapidar Lladrovci ka bërë thirrje që klubi të ndihmohet.

Pra, kalimi i krizës nuk duket afër për Feronikelin. KOHA ka mësuar se borxhi i klubit është afro 700 mijë euro.

Ish-kryetari i Feronikelit, Naser Ramaj, përmes një postimi ka njoftuar ditë më parë se për shkak të krizës ekonomike nuk mund të financojë tutje.