Sport

Ylli vazhdon me fitore edhe në Ligën Unike

Pas dy fitoreve rresht në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli ka triumfuar edhe në duelin e parë të këtij viti në Ligën Unike.

Të mërkurën mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Ylli ka triumfuar ndaj Vllaznisë së Shkodrës me rezultatin 86:67.

Me këtë fitore, Ylli mbetet lider i Ligës Unike me 15 pikë të mbledhura në tetë ndeshje të luajtura. Për Yllin, kjo ishte fitorja e shtatë këtë edicion në Ligën Unike.

Gëzim Morina me 17 pikë të shënuara, Henrik Shirko (14) e Mikaile Tmushiq (13) ishin më efikasit tek skuadra e Yllit.

Në anën tjetër, më i dalluari te Vllaznia e Shkodrës ishte amerikani Charleston Dobbs me 20 pikë e gjashtë kërcime. Për Vllazninë që është e fundit në tabelë me nëntë pikë të mbledhura, kjo ishte humbja e shtatë këtë sezon në Ligën Unike karshi një fitoreje.