Sport

Federata ankohet se shtigjet në Brezovicë nuk i plotësojnë kushtet për gara

Descriptive Text

Federata Skitare e Kosovës (FSK) ka njoftuar për anulimin e garave “Kupa e Brezovicës 2022” dhe “Kampionati i Kosovës”, që kishte paraparë t’i organizonte në fundjavë.

Në FSK ankohen se shtigjet në qendrën më të madhe të skijimit në Kosovë, Brezovicë, nuk i plotësojnë kriteret për gara. Garat është dashur të organizohen në disiplinën e sllallomit dhe sllallomit të madh.

“Sipas kalendarit zyrtar të FSK-së, për këtë fundjavë, më 22 janar dhe 23 janar, janë paraparë organizimi i garave ‘Kupa e Brezovicës 2022’ dhe ‘Kampionati i Kosovës’ për kategoritë e vjetra në disiplinën e sllallomit dhe sllallomit të madh. Por për shkak se kushtet e pistave nuk janë me standarde për organizimin e garave në skijim, FSK-ja ka marrë vendim që kjo garë të anulohet apo rishikohet mundësia e organizimit në një datë tjetër”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Në Brezovicë FSK-ja ka paraparë të organizojë edhe garën ndërkombëtare të FIS-it për të rritur në sllallom dhe sllallom të madh. Gara është planifikuar të mbahet më 11 dhe 12 mars.

Telashet aktuale nuk janë të reja për Federatën Skitare. Në shumë raste kjo organizatë nuk ka arritur t’i mbajë garat shkaku që nuk kanë arritur marrëveshje me ata që kanë menaxhuar qendrën e skijimit në Brezovicë, ku ndër kushtet kryesore ka qenë edhe mosshfaqja e simboleve shtetërore. Në një rast ishte plaçkitur zyra e Federatës Skitare të Kosovës në Brezovicë.

Në FSK presin që nëse fillon të punojë teleferiku, të kenë mundësi të mbajnë gara në qendrën e skijimit në Brezovicë.

“Kemi pasur një takim me ministrin Liburn Aliu, ku i kemi parashtruar disa kërkesa që duhet të përmbushen në qendrën e skijimit në Brezovicë, në mënyrë që garat të kalojnë pa ndonjë telashe. Kemi disa garues që janë në normë dhe sigurisht se tani edhe standardet janë rritur, pra nuk kemi më mundësi t’i fusim në shtigje ku mund të kenë pasoja. Aktualisht qendra e skijimit në Brezovicë nuk i përmbush kriteret për gara dhe kemi kërkuar që çdo mëngjes pista të jetë e ngjeshur në mënyrë që të krijohet siguri për skiatorët tanë elitarë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Nëse nuk kanë mundësi, atëherë kemi thënë se ne si ekspertë të skijimit të menaxhojmë për të mos pasur telashe. Po ashtu duhet të ketë ekipe të kërkimshpëtimit për çdo lloj fatkeqësie eventuale nëpër gjitha qendrat e skijimit”, ka thënë kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi, të hënën për KOHËN.