Sport

Koronavirusi po u shkakton lojtarëve probleme me zemër

Descriptive Text

Sulmuesi i Gabonit dhe Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang është diagnostikuar me “lezione kardiake” apo probleme me zemër në Kupën e Afrikës me Kamerunin, pasi ishte i infektuar me koronavirus, ka thënë Federata e Futbollit të Gabonit të premten.

Për këtë arsye, Aubameyangu nuk ishte pjesë e Gabonit të premten kundër Ganës dhe është në dyshim të luajë në ndeshjet tjera të Kupës së Afrikës.

Problemet shëndetësore u gjetën pas një kontrollimi të zyrtarëve mjekësorë të Konfederatës së Futbollit Afrikan. Ata bënë kontrollime rutinore për t’u siguruar nëse Aubameyangu mund të luajë pasi u rikthye në fushë pas testimit pozitiv me koronavirus, thuhet tutje në komunikatën e Gabonit.

Dy lojtarëve tjerë të Gabonit po ashtu iu ndalua të luajnë pasi kishin probleme të ngjashme, pasi më parë ishin të infektuar me virus.

Federata e Gabonit ka thënë se diagnoza e Aubameyangut nuk ishte serioze, por zyrtarët mjekësor “nuk kanë dashur të rrezikojnë”.

“Lezioni” është dëmtim apo ndryshim jonormal në indet e trupit.

Kapiteni i Gabonit doli nga izolimi vetëm dy ditë para duelit me Ganën.

Lidhshmëri me lajmin për Aubameyangun dhe bashkëlojtarët e tij, në të njëjtën ditë, pati edhe mbrojtësi i Bayern Munichut, Alphonso Davies, i cili nuk pritet të luajë për Bayernin për shkak të problemeve me muskujt e zemrës. Edhe Davies ishte i infektuar me virus.

Në Kupën e Afrikës, Gaboni luajti kundër Ganës pa dy lojtarë për shkak të infektimit me koronavirus.

Mbrojtësit Sidney Obissa dhe Lloyt Palun dolën pozitivë të mërkurën.

Përzgjedhësi i Gabonit, Patrice Neveu, po ashtu doli i infektuar të mërkurën, por mori test negativ më vonë, para ndeshjes së Grupit C, dhe iu lejua të ishte në fushë pranë lojtarëve.

Gaboni i barazoi shifrat në minutën e 88-të në ndeshjen kundër Ganës që përfundoi 1:1. Ka shans që të kualifikohet në fazën nokaut.