Te Real Sociedadi janë të vendosur për ta bërë të pamundurën për ta mbajtur në ekip Adnan Januzajn edhe pas përfundimit të këtij sezoni, ka shkruar “Mundo Deportivo” të mërkurën. E për këtë arsye, krerët e klubit kanë caktuar një takim me Januzajn, i cili do të jetë i fundit dhe do ta definojë përfundimisht të ardhmen e tij.
Januzaj ka kontratë me Sociedadin deri në fund të sezonit, kurse ka refuzuar ofertën e fundit për kontratën e re, gjë që ka detyruar klubin ta përmirësojë atë dhe të shpresojë që njëri prej lojtarëve kryesorë ta firmosë. Në rast se Januzaj refuzon edhe këtë herë, atëherë ai do të mbetet te Sociedadi deri në verë dhe do të largohet si lojtar i lirë. Në klub janë të vendosur për ta mbajtur Januzajn, pavarësisht ofertave që kanë marrë për të gjatë këtij muaji.
“Do të kërkojë përkushtim edhe më të madh prej tij si në stërvitje ashtu edhe në lojë, pasi dua që nga Januzaj ta nxjerr më të mirën prej tij deri në fund të sezonit, pavarësisht se çfarë ndodh me të ardhmen e tij. Ai ende nuk e ka arritur formën që e dëshiroj edhe pse ka pasur paraqitje të mira deri më tani”, ka paralajmëruar trajneri i Sociedadit, Imanol Alguacil.
26-vjeçari këtë sezon ka tre gola e po aq asistime në 28 paraqitje për Sociedadin, ekip të cilit iu bashkua në verën e vitit 2017 nga Manchester Unitedi. Klubi së fundmi ia ofroi rinovimin e kontratës për tre vjet, por Januzaj e refuzoi atë. Megjithatë, në klub janë të bindur se është agjenti i futbollistit, i famshmi Mino Raiola, ai që po ndikon te Januzaj që kishte një vullnet të madh për ta vazhduar kontratën para dy muajve.
“Januzaj është i vështirë për t’u kuptuar. E them këtë sepse si klub nuk e dimë se çfarë ka në mendjen e tij, e çfarë ka në mendjen e agjentit. Njëri është lojtari dhe pastaj tjetri është agjenti”, ka pranuar Imanol.
Në fakt, ishte vetë Januzaj që pas ndeshjes me Monacon në kuadër të Ligës së Evropës kishte deklaruar se është i vendosur të mbetet te Sociedadi. Mirëpo duket se oferta ekonomike nuk i ka pëlqyer aspak futbollistit, pasi Januzaj po kërkon të jetë në mesin e lojtarëve më të paguar të klubit. Te Sociedadi po besojnë se në tentimin e fundit do ta bindin Januzajn për të firmosur për shkak se kanë marrë vendim për të bërë një sakrificë ekonomike që sipas tyre do të jetë e rëndësishme kur palët të ulën përballë njëra-tjetrës.
“Dua ta rinovojë kontratën dhe të qëndroj te Reali”, ishin fjalët e Januzajt.
Ditë më parë u raportua se Sevilla po e kërkonte Januzajn. Madje u tha se Sevilla i kishte ofruar atij kontratë dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, por Sociedadi refuzoi ofertën e rivalit nga La Liga. Krahas Sevillas, interesim për Januzajn ka kohë që kanë treguar edhe Barcelona, Napoli, Lazio, Brightoni e Southamptoni.