Ka pritur gjatë për medalje botërore e gjatë edhe për medalje olimpike. Por xhudistja Nora Gjakova nuk është ndalur asnjëherë.
Ka punuar me përkushtim maksimal në stërvitje. Ditë pas dite, muaj pas muaji e vit pas viti. Dhe suksesi i Norës erdhi.
Pas shumë medaljeve evropiane dhe në garat e tjera të xhudos, Nora këtë vit ka shpërthyer edhe në skenën globale. Fillimisht fitoi medaljen e bronztë në Botërorin e Xhudos. Ishte e para për të në Botëror. Më pas preku kulmin në ngjarjen më të madhe – në Lojërat Olimpike në Tokio. Garoi në kategorinë deri 57 kilogramë dhe shkoi deri në fund. Finalen e fitoi duke shfaqur nivel të lartë të korrektësisë. Derisa kundërshtarja ishte në pozitë të papërshtatshme, Nora ka mundur ta shtyjë dhe ta sigurojë fitoren. Por, për të shmangur lëndimin e mundshëm të rivales, Nora nuk veproi. Gjyqtarët më pas e shpallën Norën fituese, duke vlerësuar se kundërshtarja, që ishte nga Franca, ka shkelur rregullat.
Pos për medaljen e artë olimpike, më të madhen të mundshme në sport, Nora mori lëvdata edhe për veprimin sportiv.
Ajo ka vazhduar punën njëjtë – me përkushtim të madh dhe përulësi – edhe pas Lojërave të Tokios.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.