Sport

Kampioni në fuqi ka udhëtim të vështirë

Sevilla mund të jetë sfiduesja më e madhe e Real Madridit për titullin e kampionit këtë sezon.

Për ta konfirmuar një gjë të tillë, andaluzianët duhet të tregohen të suksesshëm përballë kampionit në fuqi, Atletico Madridit, në kuadër të xhiros së 18-të në La Ligën spanjolle.

Sevilla – Atletico Madrid do të luhet të shtunën në orën 21:00.

Me disfatën e xhiros së kaluar në derbin e Madridit, Atletico mbeti 13-të pikë prapa liderit, Realit.

Por, Sevilla është e dyta me 34 pikë, tetë pikë larg liderit, e me një ndeshje më pak të zhvilluar.

Sevilla në vitin 2020 e fitoi Ligën e Evropës nën drejtimin e trajnerit Julen Lopetegui, ndërsa sivjet është duke synuar që për herën e tretë rresht të përfundojë në top katërshen më të mirë të garës. Kjo statistikë për Sevillan do të ndodhte për herën e parë në më shumë se gjysmë shekulli.

Ligën e Evropës e ka të mundur ta fitojë edhe sivjet, pasi përfundoi në vendin e tretë në grupin e vet në Ligën e Kampionëve.

Sevilla në edicionin që shkoi e ka fituar vetëm një ndeshje kundër tri skuadrave më të mira në tabelë, ndërsa sivjet, është mposhtur nga Real Madridi. Do të luajë ndaj Atleticos e javën tjetër ballafaqohet me Barcelonën.

Sevilla është skuadra me mbrojtjen më të mirë në ligë aktualisht me vetëm 11 gola të pranuar, derisa i ka shënuar 26 gjithsej.

Real Madridi ka 13 gola të shënuar më shumë se vendi i dytë. Madrilenët të dielën në orën 21:00 luajnë kundër Cadizit.

Trajneri Carlo Ancelotti nuk do të mund të llogarit në shërbimet e Marcelos, Luka Modriqit, Marco Asensios, Gareth Balet, Rodrygos dhe Andriy Luninit, të cilët janë të infektuar me koronavirus.

Barcelona që është në vendin e tetë do të mundohet të fitojë e t’i afrohet top-katërshes. Të shtunën në orën 18:30 luan në “Camp Nou” kundër Elches.