Sport

Greqia prej kundërshtareve më të shpeshta të Kosovës

Kosova do të luajë sërish me Greqinë. Shorti i tërhequr të enjten mbrëma ka përcaktuar që Kosova e Greqia të jenë në një grup në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Kosova e Greqia janë në grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Në këtë grup është edhe Irlanda e Veriut dhe Qipro apo Estonia. Qipro e Estonia përballen vitin e ardhshëm për të përcaktuar se cila prej këtyre përfaqësueseve luan në Ligën C e cila bie në Ligën D.

Kosova me Greqinë ka luajtur katër ndeshje të forta deri më tani. Fillimisht më 6 shtator të vitit të kaluar në Prishtinë, Greqia fitoi 2:1 në kuadër të Ligës C të Ligës së Kombeve. Ishte edicioni i dytë i kësaj gare.

Më 14 tetor të vitit të kaluar, Greqia e Kosova luajtën pa gola në Athinë.

Fitues nuk kanë dhënë as dy ndeshjet e këtij viti, që i takuan eliminatoreve për Botërorin 2022. Më 5 shtator në Prishtinë, Kosova e Greqia luajtën 1:1. Me rezultat të njëjtë përfundoi edhe ndeshja në Athinë, e luajtur më 14 nëntor. Madje Greqia është rivalja e fundit me të cilën është përballur Kosova.