Sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang është bërë kapiteni i fundit i Arsenalit, të cilit i është hequr shiriti për shkak të një shkeljeje tjetër të rregullores disiplinore të klubit. Sulmuesi nga Gaboni u hoq nga ekipi i trajnerit Mikel Arteta për ndeshjen e së shtunës, pasi u kthye me vonesë në klub nga një udhëtim i autorizuar në Francë.
Arteta mbeti i zemëruar nga pakujdesia e Aubameyangut, pasi 32-vjeçari humbi gjithashtu edhe derbin e Londrës së Veriut të muajit mars për shkak të një problemi disiplinor. Ai nuk do të jetë në ekip as për duelin kundër West Ham Unitedit, të cilin Arsenali e luan të mërkurën. Sulmuesi nuk është kapiteni i parë i “Topçinjve” që tërboi mbështetësit dhe krerët e klubit, përfshirë edhe trajnerit. Në fakt, një varg i gjatë kapitenësh të Arsenalit kanë pasur problemet e tyre, qëkur Arsene Wenger e pati emëruar William Gallasin në vitin 2007. Futbollisti i vetëm që i solli stabilitet Arsenalit si kapiten ishte Tony Adams që e barti shiritin për 14 vjet. Pas Adamsit, kapitenët e Arsenalit janë ndërruar vazhdimisht për shkak të çështjeve disiplinore.
William Gallas (2007-2008)
Francezi vlerësohet si kapiten i çuditshëm për shkak se para transferimit tek Arsenali, ka luajtur edhe për Tottenhamin e Chelsean gjatë qëndrimit të tij 12-vjeçar në Angli. Emërimi i tij si kapiten ishte menjëherë i papëlqyeshëm - me tifozët e tërbuar që e kërkonin Gilberto Silvan, por trajneri Arsene Wenger vendosi për Gallasin. Gallas u kritikua për udhëheqjen e tij gjatë ndeshjes me Birminghamin, në të cilën sulmuesi i Arsenalit, Eduardo pësoi një thyerje të tmerrshme në këmbë. Dhe, atij më vonë u hoq shiriti i kapitenit nga Wengeri, pasi akuzoi publikisht shokët e tij të skuadrës se nuk ishin “të guximshëm” për të fituar trofe.
Cesc Fabregas (2008-2011)
Gallas në rolin e kapitenit tek Arsenali, u pasua nga mesfushori Cesc Fabregas. Kishte pyetje të hershme nëse spanjolli zotëronte aftësitë e nevojshme drejtuese për t'i udhëhequr “Toçinjtë” drejt trofeve. Por paraqitjet e Fabregasit u përforcuan duke tërhequr përfundimisht vëmendjen e klubit të tij të fëmijërisë Barcelona. Pavarësisht përpjekjeve më të mira të Arsenalit, Fabregas ishte i dëshpëruar për t'u larguar nga klubi londinez dhe madje shkoi në grevë për të detyruar lëvizjen. Këto nuk ishin aspak veprimet e një udhëheqësi të përkushtuar.
Robin van Persia (2011-2012)
Pas poshtërimit të mënyrës se si Fabregas veproi për t’u larguar, Wenger më pas iu drejtua sulmuesit Robin Van Persie. Holandezi ishte përballur me lëndime të vazhdueshme në vitet e tij të para në klub, por ishte në formë jetësore, pasi trajneri francez ia kishte besuar postin e kapitenit. Pasi shënoi 30 gola në Premier League, ndërsa mbante shiritin në krah - spekulimet filluan rreth të ardhmes së Van Persiet, pasi ai kishte vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij. Dhe pasi u bë e qartë se ai nuk do ta zgjaste qëndrimin e tij tek Arsenali, Van Persie tërboi tifozët duke firmosur për rivalin – Manchester Unitedin.
Thomas Vermaelen (2012-2014)
Në atë kohë, Thomas Vermaelen ishte qendërmbrojtësi më i mirë i Arsenalit, kështu që dukej e logjikshme që atij t’i jepej shiriti. Por papritmas, ndikimi i belgut filloi të zbehej dhe ai madje u hoq nga Wenger për ndeshjen e Ligës së Kampionëve të atij sezoni ndaj Bayernit. Lëndimet filluan të luanin një rol më të madh në problemet e mbrojtësit, dhe ai bëri vetëm 14 paraqitje në Premier League në sezonin e tij të fundit në klub. Duke qenë një zëvendësues i papërdorur në triumfin e Arsenalit në Kupës FA në vitin 2014, Vermaelen shpejt e ndoqi Fabregasin te Barcelona.
Mikel Arteta (2014-2016)
Ndryshe nga disa në këtë listë, lojtari i njohur i mesfushës dhe trajneri aktual ishte një ndikim pozitiv dhe lider tek ata që e rrethonin në “Emirates Stadium”. Problemi, megjithatë, ishte se ai thjesht nuk mund të qëndronte në formë. Spanjolli u paraqit në vetëm 16 ndeshje në ligë gjatë dy vjetëve të tij si kapiten.
Pas tërheqjes nga futbolli aktiv, Arteta u bë ndihmës i Pep Guardiolas para se të kthehet te Arsenali në vitin 2019. Dhe, tani është Arteta ai që e largoi Aubameyangun nga posti i kapitenit.
Per Mertesacker (2016-2018)
Gjermani ishte një tjetër figurë e njohur në klub. Fituesi i Kupës së Botës në vitin 2014 ishte i duhuri për ta marrë shiritin e kapitenit. Mirëpo, sikurse shumë të tjerë, edhe Mertesacker zhgënjeu vazhdimisht në vitet e fundit të karrierës së tij. Mertesacker zgjati edhe më pak si kapiten i klubit sesa Arteta, ndërsa tani ai punon në akademinë e klubit.
Laurent Koscielny (2018-2019)
Francezi është një tjetër lojtar, trupi i të cilit kishte filluar ta zhgënjejë në momentin kur mori shiritin e kapitenit. Një dëmtim i keq në nyjën e këmbës ia rrezikoi karrierën, por ai e tejkaloi problemin për t’u rikthyer fuqishëm. Por më pas, Koscielny tronditi fansat në verën e vitit 2019, duke refuzuar të shkonte në turneun parasezonal të Arsenalit në SHBA, në mënyrë që të detyronte një kalim te Bordeauxi. Ky veprim bëri që Koscielnyt t’i merret shiriti i kapitenit dhe ai përfundimisht të largohet nga londinezët.
Granit Xhaka (2019)
Granit Xhaka i zemëroi tifozët e Arsenalit me shpërthimin e tij të bujshëm kur u zëvendësua kundër Crystal Palacet në tetor vitit 2019 pak kohë pasi kishte marrë shiritin e kapitenit. Ai u fjalos me tifozët derisa po e lëshonte fushën në minutën e 61-të për t'u zëvendësuar nga Bukayo Saka. Xhaka nuk i përmbajti emocionet kur i fyeu tifozët përpara se të largohet. Pas barazimit zhgënjyes 2:2, shumë tifozë të Arsenalit kërkuan që Xhakës t'i hiqej shiriti i kapitenit, gjë që u bë. Shokët e skuadrës thuhet se duhej të vizitonin Xhakën në shtëpi pas ndeshjes për të ngushëlluar yllin e frustruar zviceran. Por ai arriti të rikthehet dhe tani është sërish i rregullt në mesfushën e Arsenalit.