Skuadra Prizreni-16 e ka fituar derbin lokal ndaj Bashkimit në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll. Ndeshja e luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në kuadër të xhiros së 13, është mbyllur me rezultatin 92:90 në favor të Prizrenit-16, që në këtë takim ishin në rolin e mysafirit.
Në fakt, ndeshja u ndërpre për disa minuta në fund të çerekut të katërt kur arbitrat kërkuan që tifozët të largohen nga palestra për shkak të hudhjes së gjësendeve në parket.
Me këtë fitore, Prizreni-16 ka tubuar 20 pikë, sa i ka edhe skuadra e Bashkimit. Plejmejkeri Ivan Koleviq e ka udhëhequr Prizrenin-16 drejt këtij triumfi. Koleviq ndeshjen e mbylli me 24 pikë e shtatë kërcime, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Cortney Fells (21 pikë), Urim Zenelaj (21 pikë e 12 kërcime) e Arti Hajdari (21 pikë).
Në anën tjetër, te Bashkimi, më efikasit ishin Anton Kazarnovski (22 pikë e 14 kërcime), Valon Bunjaku (22 pikë) dhe Julien Lewis (21 pikë, 8 kërcime, 8 asistime).