Sport

Hysaj lavdëron Strakoshën e Reinan

Mbrojtësi i krahut të djathtë i Lazios, Elseid Hysaj, ka thënë se nuk ka diferencë ndërmjet Thomas Strakoshas dhe Pepe Reinas. Reprezentuesi i Shqipërisë nënvizoi se të dy janë portierë shumë kualitativ.

“Biancocelestët” po përgatiten për t’u ballafaquar të enjten në “Stadio Olimpico” në Ligën e Evropës kundër gjigantit turk, Galatasaray.

Lazio e ka kaluar fazën e grupeve me tetë pikë në pesë ndeshje, dhe diferenca është tri pikë me vendin e tretë që mbahet nga Marseille.

Hysaj ka treguar se ka shenja të përmirësimit në javët e fundit, por ka nënvizuar se duhet ende kohë për t’u përshtatur me trajnerin e ri.

“Jemi përmirësuar shumë”, ka thënë Hysaj në konferencën për shtyp. “Ne shënojmë gola por duhet të mësohemi të mos pranojmë. Merr kohë që t’i plotësojmë të gjitha kërkesat nga trajneri. Nëse dëshiron të luash me krahët që janë shumë të avancuar, nuk duhet të humbasësh asgjë. Ka lojë në të cilat jemi shumë të sigurt, dhe të tjera ku kemi pranuar katër gola. Nuk është mirë. Duhet të jemi më të sigurt dhe të komunikojmë më shumë”, theksoi Hysaj.

Hysaj ka luajtur rol në të gjitha pjesët e mbrojtjes dhe ka treguar se e ka kualitetin të luajë kudo. Por, kjo është arritur pas ardhjes së trajnerit Maurizio Sarri te Lazio.

“Jam mbrojtës i krahut të djathtë dhe për mua është më e lehtë të luajë në atë pozitë”, pranoi Hysaj. “Luaj edhe më shpejtë atje. Kam luajtur po ashtu si qendërmbrojtës. Nuk është roli im, por mundohem ta bëj më të mirën e mundshme”, theksoi Hysaj.

Mbrojtësi u pyet në fund nëse ndryshon diçka në lojën e Lazios kur në portë është Thomas Strakosha apo Pepe Reina. Ish-lojtari i Napolit tha se që të dy janë portierë shumë kualitativ.

“Nuk ka diferencë mes tyre. Të dy janë portierë shumë të mirë. Njëri ka më shumë eksperiencë, kurse tjetri duhet të rritet edhe më shumë në karrierë”, përfundoi Hysaj.