Sport

Paqarada ëndërron rikthimin në Bundesligë dhe te Kosova

Skuadra e St. Paulit nuk e kishte synim kthimin në Bundesligën e Gjermanisë sezonin tjetër. Por, rezultatet e këtij sezoni vjeshtor në Bundesligën 2 kanë bërë që të ndryshojnë objektivat, pra të synohet rikthimi në elitën e futbollit gjerman. E rikthimin në Bundesligë me St. Paulin po e synon edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Leart Paqarada, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm te St. Pauli këtë edicion. St. Pauli është lider në Bundesligë, 2 pas 16 ndeshjeve të zhvilluara. Kryeson në tabelë me 35 pikë të mbledhura, gjashtë më shumë se përcjellësi i parë, Darmstadti.

“Fakti është se kur je lart, dëshiron të vazhdosh të luash një rol të rëndësishëm”, ka thënë mbrojtësi 27-vjeçar për gazetën e madhe gjermane “Bild”. “Ndihem mirë. Trupi po e përballon mjaft mirë ritmin. Gjunjët dhe ijët gjithashtu po ecin mjaft mirë”.

Krahas forcës së tij mbrojtëse, Paqarada ka bindur edhe në fazën ofensive. Paqarada ka luajtur në të gjitha, 16 ndeshjet e këtij edicioni në Bundesligën 2, ndërsa ka shënuar dy gola dhe ka kontribuuar me pesë asistime. Ai edhe për Kupë në dy ndeshje ka shënuar një gol dhe ka asistuar një herë.

“Unë shpesh bëjë stërvitje shtesë për harkime dhe gjuajtjet e lira”, zbuloi Paqarada.

Ka pasur vazhdimësi të paraqitjeve të mira këtë edicion, ndërsa kjo për trajnerin e St. Paulit, Timoi Schulz është një gjë shumë e mirë. Këto statistika i kanë të njohura edhe në Kosovë, vendin ku ka luajtur në të kaluarën.

“Të luash për vendin tënd është diçka shumë e veçantë. Unë kam qenë gjithmonë me ta, ndonëse i ulur para televizorit me dhimbje në zemër”, ka deklaruar Paqarada.

Paqarada shpreson që së shpejti të luajë sërish për Kosovën. Ai në prill të këtij viti vendosi që të mos i përgjigjet ftesës së Kosovës, derisa përzgjedhës të jetë Bernard Challandes. Ky i fundit, tashmë është larguar nga Kosova dhe ende nuk është emëruar pasardhësi i tij.

“Me trajnerin e vjetër arritëm në përfundim se nuk kishte kuptim të vazhdonte kështu. Trajneri nuk është më aty dhe tani ne po shohim përpara”, ka thënë Paqarada. “Aktualisht, Kosova është në kërkim të një trajneri të ri. Kur të emërohet trajneri, atëherë do të shohim”.

Ai me Kosovën pati debutuar në vitin 2016 dhe deri më tani ka regjistruar 21 paraqitje, ku ka shënuar edhe një gol. Një ndeshje në vitin 2013 e ka luajtur edhe për Shpresat e Shqipërisë, kurse në grupmoshat e reja ka luajtur nga shtatë ndeshje për U16 dhe U17 të Gjermanisë. Paqarada është korrekt me klubin. Ai i bashkohet gjithnjë një ditë para ndeshjes në shtëpi, ekipit në hotel. Ai thotë se një lojtar profesionist duhet pranuar të qëndrojë edhe larg familjes. Të shtunën, St. Pauli udhëton drejt Dusseldorfit. Synimi i klubit, sipas Paqaradës, është veç fitorja.

“Ne duhet të ruajmë pozitën ku jemi. Ne nuk duhet të paktën të kemi frikë”, ka thënë Paqarada.