Sport

Rezultatet e thella po e dëmtojnë futbollin e femrave

Përfaqësuesja e Letonisë në futboll në konkurrencën e femrave nuk kishte udhëtuar në Angli me pritshmëri të mëdha për ndeshjen kualifikuese për Botërorin e vitit 2023.

Letonia renditet e 102-a në ranglistën botërore të FIFA-s dhe ka një skuadër relativisht të re. Por humbja 20:0 nga Anglia, javën e shkuar, sigurisht që nuk ishte rezultati për të cilin kishin shpresuar te Letonia.

“Rezultati është, thënë sinqerisht, një katastrofë për futbollin tonë”, tha Nina Travkina, kreu i zhvillimit të futbollit të femrave në Federatën e Futbollit të Letonisë. “Sigurisht, ne prisnim shumë gola në ndeshjen në Angli, sepse kemi lojtare shumë të reja, por në fakt nuk prisnim të pranonim 20 gola”.

Ishte fitorja më e thellë që një përfaqësuese angleze e çdo kategorie e ka pasur në garat ndërkombëtare. Katër lojtare të Anglisë shënuan “hat-trick”, duke përfshirë sulmuesen Ellen White, e cila u bë golashënuesja më e mirë e të gjitha kohërave e Anglisë.

Pra, dikush me siguri mund ta përshkruajë rezultatin si historik ose katastrofal, por ndoshta përcaktimi më i përshtatshëm, kur ka të bëjë me organin drejtues të futbollit evropian, UEFA, është “jokonkurrues”.

“Ky nuk është rezultati që unë apo dikush dëshiron të shohë”, tha Nadine Kessler, shefja e UEFA-s për futbollin e femrave. “Kjo nuk është në interes të zhvillimit të futbollit të femrave, veçanërisht jo në interes të ekipit që humbet me kaq shumë gola”.

Rezultati i njëanshëm midis Anglisë dhe Letonisë ishte një nga 12 ndeshjet në të cilat një ekip shënoi 10 ose më shumë gola që nga fillimi i kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës që nisën në shtator. Rezultati i Anglisë erdhi më pak se një javë pasi Belgjika mposhti Armeninë 19:0.

Danimarka, Anglia, Franca, Gjermania dhe Zvicra kanë ecuri perfekte në kualifikime, duke shënuar gjashtë fitore në po aq ndeshje. Anglia është më e mira e këtij grupi me 53 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar. Ndërkohë, nëntë përfaqësuese të tjera, përfshirë Letoninë dhe Armeninë, nuk kanë arkëtuar ende as edhe një pikë.

“Situata që kemi tani nuk ka qenë kurrë kaq e rëndë”, tha Kessler. “Ndonjëherë mund të keni një rezultat më të lartë, por ai nuk mund të bëhet një model i rregullt ose të bëhet kaq dominues sikurse tani”.

Kessler, ish-lojtarja më e mirë e vitit e FIFA-s, ka përvojë personale me rezultate të njëanshme. Ajo shënoi dy gola për Gjermaninë në fitoren 9:0 ndaj Rusisë gjatë kualifikimeve të Botërorit në vitin 2015.

“Nëse je pala fituese, është mirë të shënosh gola”, tha ajo. “Por ka një anë tjetër që nuk ka të njëjtën kënaqësi, sepse fitorja është shumë e thellë”.

Kessler vuri në dukje se pabarazia aktuale mund të mos jetë vetëm për shkak të formatit. Pandemia e koronvariusit, theksoi ajo, bëri që shumë federata kombëtare të anulojnë garat në ligat vendase.

“Gjatë dy vjetëve të fundit ka pasur nivele të mëdha pasiviteti në futbollin e femrave. Shumë lojtare thjesht nuk mund të luanin dhe nuk kishin konkurrencë të rregullt”, tha ajo.

Ndryshe nga konfederatat e tjera, UEFA nuk e ka përdorur kampionatin e saj kontinental, Evropianin për femra, si një mjet kualifikimi për Kupën e Botës që nga viti 1995. Por gjetja e formatit të duhur kualifikues mbetet një punë në progres. Kualifikimet e mëparshme ose i ndanë skuadrat e niveleve më të ulëta, si Letonia, jashtë procesit kualifikues ose u kërkonin atyre të merrnin pjesë në një raund paraprak. Në konstruktin aktual, megjithatë, i ngjan sistemit kualifikues të meshkujve, duke ndarë 51 pjesëmarrës në nëntë grupe. Në teori, konstrukti aktual i jep çdo vendi një shans të barabartë për t'u kualifikuar në Kupën e Botës. Megjithatë, siç aludoi Kessler, formati nuk ndihmon në përparimin e futbollit të femrave kur ekipet e niveleve më të ulëta goditen nga kundërshtarët e tyre. Nga ana e saj, UEFA nuk ka kundërshtuar të provojë diçka të re, me Kesslerin që thotë se shoqatat kombëtare të mëdha dhe të vogla janë të hapura për të ndryshuar pavarësisht nga rezultatet. Kohët e fundit, konfederata rishikoi formatin e saj të Ligës së Kampionëve nga një garë me eliminim direkt duke e shndërruar në fazë të grupeve.

“Nuk është aq e thjeshtë, por ne po punojmë për ta ndryshuar formatin, sepse jemi lodhur nga rezultatet e thella”, shtoi Kessler.

Një rregullim i mundshëm, zbuloi Kessler, është një Ligë e Kombeve që grupon vendet me fuqi të ngjashme në nivele të ndara. Pasi UEFA futi këtë ligë te meshkujt në vitin 2018, formati është përhapur ngadalë në të gjithë futbollin.

“Pika kryesore është se si ne mund të barazojmë fushën e lojës në përgjithësi për të gjitha nivelet, por gjithashtu të sigurojmë që shoqatat më të vogla të kenë gara të mjaftueshme për të inkurajuar investime të mëtejshme”, tha Kessler.