Besa Famgas e eliminoi Borcin e Banjallukës në raundin e dytë të Kupës Evropiane. Më pas luajti dy ndeshje të forta me skuadrën e suksesshme rumune, Potaissa Turda, në raundin e tretë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale për klube në hendboll. Kampionia e Kosovës megjithatë nuk ia doli ta kalonte edhe Turdan. Skuadra rumune, që ka fituar nivelin e tretë evropian në vitin 2018, avancoi për një gol.
Më 28 nëntor, Besa Famgas fitoi në “Karagaçi” me shifrat 30:28. Të dielën në Turda të Rumanisë, Potaissa fitoi me shifrat 29:26. Me rezultat të përgjithshëm 57:56, Potaissa Turda, ashtu si pritej, avancoi në raundin tjetër të Kupës Evropiane.
Paraqitjet e Besës në këtë edicion të garave kontinentale janë vlerësuar e po vlerësohen ende. Por skuadra më e madhe e hendbollit në vend nuk ia doli të bënte hap para sa u takon kupave evropiane.
Besa është pjesë e skenës kontinentale prej vitit 2005. Por asnjëherë nuk ka kaluar dy kundërshtarë në një edicion. Vjet e sivjet ishte më së afërti. Vjet për një gol u eliminua nga Borci i Banjallukës.
Kalimi i një kundërshtari aktualisht është “kufiri” i skuadrës pejane në gara evropiane. Dhe për të siguruar përballje me kundërshtar të tretë, Besa e Pejës duhet të presë edicionin e ardhshëm.
Besa nuk ka pasur fat në short këtë edicion. Borci e Turda vlerësohen skuadra të mëdha, të paktën në vendet e tyre. Gjatë një dekade e gjysmë Besa është ndalur nga kundërshtarë shumë më të dobët se Borci e Potaissa Turda.
Përballja e barabartë me këto dy skuadra vlerësohet dëshmi për rritjen e ekipit pejan.
Federeta e Hendbollit e Kosovës që në vitin 2004 fitoi të drejtën që të garojë me klubet e saj në gara evropiane. Besa këtë të drejtë e shfrytëzoi nga fillimi. Që në vitin 2005 luajti në Kupën e EHF-së, që ishte niveli i dytë. U eliminua nga Bevo Panningen e Holandës. Maccabi Rishon Le Zion nga Izraeli e eliminoi Besën në raundin e parë të Kupës së EHF-së në edicionin 2006/07. Mersini turk ishte i pakalueshëm një edicion më vonë, ndërsa ndaj Vive Kieleces polake pejanët ishin pa gjasa në vitin 2008.
Në edicionin 2009/2010 Besa mungoi nga garat evropiane, ndërsa u kthye në edicionin 2010/11. Në dy ndeshje shënoi vetëm nga 15 gola ndaj skuadrës gjermane, Gummersbach. Në ndeshjet e para, me rezultat të thellë, e eliminoi Besën edhe Motor-ZNTU-Zas e Ukrainës, në edicionin 2011/12. Në edicionin 2012/13 për herë të parë u takua me Borcin e Banjallukës dhe u eliminua.
Vetëm në pjesëmarrjen e tetë, në edicionin 2013/14, Besa e eliminoi kundërshtarin e parë. Ende paraqitej me Besa Famiglia, ndërsa në Challenge Cup (niveli i tretë) e kaloi Salfordin, ekipin amator nga Britania e Madhe. Më pas u eliminua nga Aguas Santas-Milaneza e Portugalisë.
Kehra e Estonisë u kalua nga Besa në edicionin pasues, ndërsa Nexe kroate ishte e pakalueshme.
Herë në nivelin e dytë e herë në nivelin e tretë evropian, Besa ka kaluar edhe Fregata-Burgasin e Bullgarisë, Batumin e Gjeorgjisë, Bosna Visokon e Bosnjë-Hercegovinës dhe Borcin. Është eliminuar nga OIF Arendal i Norvegjisë, Dukla Praga e Çekisë, Beykozi i Turqisë, Drammeni i Norvegjisë, Winterthuri i Zvicrës, Borci e Turda.
Besa ka bërë përpjekje që të kalojë dy rivalë, por me gjithë ngritjen, deri më tani nuk ia ka dalë. Nuk ia kanë dalë as skuadrat e tjera kosovare që janë paraqitur e paraqiten në gara evropiane në hendboll.
“Ndaj Turdas në Rumani kemi bërë lojë shumë të mirë. Ekipi i Besës ka dhënë leksion me lojë të mirë, por ishte e pamundur të fitojmë. Nuk ka pasur shanse. Edhe pse nuk kam dëshirë të flas për referimi, por referimi ishte katastrofal në Rumani. Më vjen keq prej këtyre djelmoshave që e japin çdo gjë nga vetja dhe bëjnë lojë shumë të mirë. Në ndeshjen e parë nuk isha i kënaqur me paraqitjen, por mbrëmë ishim të mahnitshëm. Është mëkat i madh që nuk u kualifikuam në xhiron e ardhshme dhe të shkruajmë histori”, ka thënë trajneri i Besës, Arben Muqolli.
Besa e nisi më mirë ndeshjen dhe krijoi epërsi 5:1. Por rumunët me përvojë u kthyen gradualisht dhe pas pjesës së parë kishin avantazh prej një goli. Ndërkohë pjesa e dytë ishte e hapur. Besa ka shpërdoruar disa raste për t’u afruar në dy gola.
“Besoj se do të jemi prapë në formë dhe të tregojmë lojëra të mira. Nuk ka arsye që të na bjerë morali. Ne ishim të mirë dhe e kemi merituar fitoren, edhe pse ekipi rumun ishte kundërshtar shumë i fortë. Por mbrëmë përfundimisht ne ishim shumë më të mirë”, ka shtuar Muqolli.
Tani Besa Famgas u kthehet sfidave vendore. Në garat e vendit ka shumë vjet që Besa nuk njeh konkurrencë.