Sport

Gara për “Këpucën e Artë” përfshin pak sulmues

Descriptive Text

Si në çdo edicion, përveç luftës për titull të kampionit interesante është edhe gara për golashënuesin më të mirë të Superligës së Kosovës në futboll.

Përderisa në kampionatet e kaluara kanë qenë qendërsulmuesit ata që e kanë thënë fjalën kryesore për gola, në këtë edicion nuk po ndodhë një gjë e tillë.

Në edicionin 2020/2021, Mirlind Daku kishte realizuar 31 gola me Ballkanin për t’u shpallë më i miri.

Aktualisht Gerhard Progni i Gjilanit është shënuesi më i mirë i Superligës së Kosovës. Ai ka shënuar 11 gola. Progni luan në krahë dhe shpeshherë prapa qendërsulmuesit. Pra nuk është sulmues tipik.

I dyti është sulmuesi i krahut, Kreshnik Uka, që është i huazuar te Drenica nga skuadra e Prishtinës. Uka ka nëntë gola të realizuar. Ndërkohë i treti në listë është Ermal Krasniqi i Ballkanit me shtatë gola.

Krasniqi luan në krahun e majtë të sulmit, por kryen shumë punë edhe në fazën mbrojtëse. Shtatë gola i ka shënuar edhe mbrojtësi i Prishtinës, Besnik Krasniqi.

Nga qendërsulmuesit tipik, Marclei Santos i Ulpianës ka shënuar pesë gola, nga katër gola kanë realizuar Marko Simonovski e Ardit Tahiri të Dritës, Leotrim Kryeziu i Prishtinës, Alef Firmino i Dritës dhe Theophilus Solomon i Ballkanit.

Otto Johni i Prishtinës ka shënuar vetëm dy herë deri me tani, kurse Blerim Krasniqi i Gjilanit ka vetëm një gol.

Golashënuesi më i mirë i Ballkanit, Ermal Krasniqi, pranon që do të luftojë për “Këpucën e Artë” të futbollit kosovar.

“E kam pritur një ecuri të mirë këtë sezon. Po ashtu, kam pritur që të shënojë gola dhe shpresoj që të vazhdoj kështu me këtë formë deri në fund të kampionatit. Unë e synoj ‘Këpucën e Artë’ të futbollit të Kosovës, por duhet të them që në plan të parë do të jenë rezultatet e klubit dhe shpresoj që t’i arrijmë objektivat. Rezultatet me klub janë të rëndësishme edhe për të ardhmen time, andaj për këtë po punojmë shumë”, tha Krasniqi.

Ai thekson se konkurrenca do të jetë e fortë deri në fund, por se do të japë më të mirën për të shënuar sa më shumë gola.

“Do të jetë shumë e vështirë. Konkurrenca është e madhe, por do të mundohem deri në fund që të shfaq lojëra të mira dhe të shënoj sa më shumë gola për të ndihmuar ekipin. Futbolli sot luhet në të dyja fazat. Fal përgatitjes së mirë, po mundohem ta ndihmoi ekipin”, u shpreh Krasniqi.

Për Kreshnik Ukën e Drenicës, ky është edicioni më i mirë. Uka thotë se për të primare janë rezultatet e skuadrës.

“Ka qenë një sezon mjaft i mirë për mua deri me tani. Mund të them ka qenë edhe si vit shumë i mirë, pasi edhe në sezonin e kaluar kam shënuar të njëjtin numër të golave. Sa i përket “Këpucës së Artë”, unë nuk e kam asnjëherë si objektiv, pasi qëllimi im është të shënojë sa më shumë që të mundem dhe ta ndihmojë ekipin. Në fund, nëse do të jem në krye, do të ishte motiv shtesë për mua. Konkurrenca do të rritet. Do të ketë lojtarë që do të shënojnë sepse disa sulmues i kanë ndërruar skuadrat dhe deri te ambientohen me ekipet e tyre do t’u duhet kohë. Shoh konkurrencë të ngushtë dhe mjaftë të fortë”, tha Uka.

Ish-golashënuesi më i mirë në Superligë, Labinot Osmani, numëron disa prej arsyeve që qendërsulmuesit nuk kanë treguar formë të mirë.

“Ndoshta filozofitë e trajnerëve, ndoshta edhe presioni i lartë për të shënuar, pastaj edhe mungojnë pak a shumë lojtarët që e kanë pasimin e fundit që i fusin në shanse qendërsulmuesit. Arsyet mund të jenë edhe të tjera, mund të mos jenë në formë për një periudhë të caktuar. Ndoshta po mungojnë sulmuesit tipik, ndoshta edhe nuk janë në formë, por ndoshta edhe ky është kualiteti real”, tha Osmani.

Ai i vlerëson Gerhard Prognin, Kreshnik Ukën dhe Ermal Krasniqin.

“Progni është lojtar shumë kualitativ e po ashtu edhe produktiv. Ai ka treguar formë të mirë prej që ka ardhur. E shoh si garë të hapur, pasi që edhe ndjekësit e tij si Uka e Krasniqi janë lojtarë që kanë treguar që dinë të shënojnë gola”, deklaroi Osmani.