Sport

Golden State ia ndal Phoenixit serinë e 18 fitoreve rresht

Stephen Curry e udhëhoqi Golden State Warriorsin drejt fitores që ia ndali Phoenix Sunsit serinë e 18-të fitoreve të njëpasnjëshme.

“Luftëtarët” fituan me rezultatin 118:96.

Curry shënoi 23 pikë, pesë kërcime dhe po aq asistime. Ai arriti t’i realizoi gjashtë herë nga vija për tri pikë. I duhen vetëm edhe 28 trepikësha për të kryesuar në listën e më të mirëve në këtë statistikë.

Ray Allen prinë me 2973 trepikësha të realizuar në total.

Luke Kennard i Los Angeles Clippers shënoi dy trepikësha kah fundi i duelit dhe ia siguroi fitoren përballë rivalit, Los Angeles Lakers, 119:115.

Philadelphia 76ers fitoi ndaj Atlanta Hawks 98:96, ndërsa Joel Embiid ishte më i dalluari me 28 pikë.

Cleveland Cavaliers triumfoi ndaj Washington Wizards, 116:101, ndërsa lideri i konferencës së lindjes, Brooklyn Nets, e mposhti Minnesota Timberwolvesin, 110:105.

Fitore shënuan edhe Utah Jaz ndaj Boston Celtics dhe Miami kundër Indiana Pacers.

New Orleans Pelicans nuk pati probleme përballë Dallas Mavericks. Houston Rockets ndërkohë fitoi me dy pikë më shumë epërsi kundër Orlando Magic.