Lionel Messi do të mundohet që t’i përmirësojë statistikat në elitën e futbollit francez.
Skuadra e tij, Paris Saint-Germain, të shtunën në orën 21:00 do të luajë në udhëtim te Lensi, ndërsa Messi hyn në këtë ndeshje si fitues i “Topit të Artë” për vitin 2021, ndërsa PSG-ja udhëton si lidere e ligës.
Messi e fitoi për herën e shtatë çmimin prestigjioz, por skuadra e tij të mërkurën në shtëpi u ndal në barazim pa gola nga Nice.
Ish-ylli i Barcelonës shënoi 30 gola në La Liga edicionin e shkuar, por në këtë edicion e ka realizuar vetëm një në xhiron e 14-të kundër Nantesit.
PSG-ja, prin në tabelën e Ligue 1 me 41 pikë. Përcjellësi i parë i parisienëve është ekipi i Marseillet që ka 29 pikë.
Kampioni në fuqi i Francës, Lille, do të luajë në shtëpi kundër Troyesit. Edhe ky ballafaqim zhvillohet të shtunën në orën 19:00.