Sport

Messi kërkon ta dëshmojë veten në Ligue 1 pasi e fitoi Topin e Artë për herë të shtatë

Ylli argjentinas, Lionel Messi, u nderua për herën e shtatë në karrierë me “Topin e Artë”, të hënën mbrëma në një ceremoni gala të mbajtur në Paris. Mirëpo për herë të parë në karrierën e shkëlqyer, Messi u përball me reagime të përziera për suksesin e tij.

Messi ka pasur një fillim të ngadaltë të karrierës në Francë, pas një viti të turbullt që e pa atë t'i thotë lamtumirë Barcelonës me lot dhe t'i bashkohet Paris Saint-Germainit. Ai te PSG-ja u transferua si lojtar i lirë dhe firmosi kontratë dyvjeçare. Megjithatë, ka pasur shkëndija të nivelit superior të argjentinasit në javët e fundit, ku ai shënoi golin e parë në Ligue 1 të përcjellë me tri asistime në fitoren 3:1 të PSG-së në Saint-Etienne të dielën e shkuar.

Messi pranoi se “Topi i Artë” iu dha kryesisht për shkak të udhëheqjes së vendit të tij drejt një titulli të madh ndërkombëtar, në Kupën e Amerikës. Ai përfundoi golashënuesi më i mirë në La Liga edicionin e kaluar në një ekip të dobët të Barcelonës, i cili ka kohë që është futur në krizë financiare.

“Ky çmim po besoj që është për shkak të triumfit në Copa America. Nuk është se e kam pasur një periudhë të lehtë, pasi ishte periudha e pandemisë dhe shumë gjëra tjera, unë tani jam në Paris. Jam shumë i lumtur për këtë çmim dhe tejet i emocionuar”, tha ndër të tjera Messi kur e pranoi trofeun.

Pasi shënoi vetëm katër gola në 11 paraqitje këtë sezon për PSG-në, 34-vjeçari do të ketë nevojë për një rikthim të fatit për t'u shpallur sërish lojtari më i mirë në botë vitin e ardhshëm.

Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, ishte ndër figurat kryesore të futbollit që shprehu habinë që Messi e mundi sulmuesin e Bayern Munichut, Robert Lewandowski për “Topin e Artë”.

“Mendoj se Mesit gjithmonë mund t’ia jepni këtë çmim për karrierën e tij, por nëse nuk ia jepni Lewandowskit këtë herë, atëherë kur do ta fitojë ai”, theksoi Klopp.

Trajneri i PSG-së, Mauricio Pochettino, nuk kishte asnjë dyshim se lojtari i tij meritonte të bëhej i pari nga skuadra franceze që fitoi “Topin e Artë”, pavarësisht se nuk arriti të dëshmonte vlerat e tij me fanellën e PSG-së.

“Ai e meriton plotësisht ‘Topin e Artë’. Nuk ka asnjë debat për këtë temë”, insistoi Pochettino të martën. “Mund ta kuptoj që në vende të tjera disa nuk janë dakord, por mendoj se ai e meritonte. Ne gjithashtu shpresojmë se është dita e parë e krijimit të asaj që mund të bëhet një Top i tetë i Artë. Ne jemi të gjithë të kënaqur që kemi Messin këtu te PSG-ja”.

Messi së bashku me mesfushorin Leandro Paredes, nuk u stërvitën të martën për shkak të sëmundjes, por ai do të dëshirojë të jetë i aftë për t'u përballur me Nicen e vendit të tretë të mërkurën, veçanërisht me Neymarin që është jashtë fushës deri në tetë javë për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës.

“Shpresoj që Messi të jetë i gatshëm për lojë dhe ta dëshmojë veten si futbollisti më i mirë i vitit. Është dhe mbetet një lojtar i rëndësishëm për ekipin tonë”, ka insistuar Pochettino.

PSG-ja prinë në Ligue 1 pas 15 xhirove të zhvilluara. Është tashmë 12 pikë larg nga Rennesi i vendit të dytë në ligën franceze, pavarësisht një serie paraqitjesh të dobëta, pas një sërë nënshkrimesh të profilit të lartë. Messi, Neymar dhe Kylian Mbappe kanë shënuar vetëm 11 herë në ligë. Ata do të duhet të përmirësohen për të lënë gjurmë në Ligën e Kampionëve, ku PSG-ja ka avancuar në fazën e nokautit nga pozita e dytë në Grupin A.