Sport

Kroos thotë se Ronaldo ishte më i mirë se Messi, por “Topin e Artë” e ka merituar Benzema

Toni Kroos

Mesfushori gjerman Toni Kroos e ka vënë në dyshim vendimin për t’ia dhënë “Topin e Artë” Lionel Messit dhe beson se këtë trofe e ka merituar Karim Benzema më shumë se argjentinasi. Madje, Kroos ka insistuar se “Topin e Artë” i shtati për Messin në karrierë ishte “plotësisht i pamerituar” dhe ka thënë se edhe Cristiano Ronaldo ishte dukshëm lojtar më i mirë këtë vit sesa Messi.

Messi të hënën mbrëma në një ceremoni gala të mbajtur në Paris e fitoi “Topin e Artë” duke e lënë pas vetes Robert Lewandowskin e Jorginhon.

“Nuk ka aspak dyshime se Messi, së bashku me Ronaldon ka qenë lojtari më i mirë i dekadës së fundit, por këtë vit të tjerët është dashur të jenë para tij. Për mua, Benzema është dashur të jetë numri një nëse shikojmë për lojtarin më të mirë individual në vitin e fundit”, është shprehur Kroos. “Po ashtu, kur shoh se sa gola vendimtar i ka shënuar Cristiano për Manchester Unitedin, atëherë për mua edhe ai është dashur të jetë gjithashtu para Messit”.