Sport

Edhe një skuadër kampione proteston për mënyrën si u ndanë paratë për ringjallje ekonomike

Pos volejbollisteve të Dritës së Gjilanit, para Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të protestojnë edhe hendbollistet e Vushtrrisë.

Edhe Vushtrria është e pakënaqur me mënyrën se si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë paratë nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike nga fusha e sportit. Klubi i volejbollit Drita ka njoftuar se do të protestojë të martën nga ora 11:00. Ndërkohë, të dielën klubi i hendbollit Vushtrria njoftoi se i bashkohet protestës para MKRS-së për të shprehur pakënaqësinë për mënyrën si janë ndarë paratë.

Gjatë këtij muaji, MKRS-ja shpalli listën e federatave, klubeve e organizatave joqeveritare që përfituan nga fondi për ringjallje ekonomike. Fillimisht u njoftua për ndarjen e 1,9 milion eurove. Që pas publikimit të parë, kishte pakënaqësi të mëdha. Kështu, MKRS-ja dërgoi në rivlerësim projektet, duke mos përfshirë ato të federatave. Pas rivlerësimit, lista e përfituesve pësoi ndryshime të mëdha. Por sërish pakënaqësitë ishin të mëdha. Mbetën të pakënaqura sidomos klubet që mësuan se do të përkrahen më pak pas rivlerësimit të projekteve.

KV Dritës i janë zvogëluar të hyrat pas rivlerësimit, e po ashtu edhe KHF Vushtrrisë. Ka pasur klube që janë larguar plotësisht nga lista, e klube që kanë hyrë në listën e përfituesve vetëm pas rivlerësimit. Ndërkohë, shumicës së klubeve i ka ndryshuar vlera e përkrahjes.

“KHF Vushtrria i bashkëngjitet karvanit të klubeve për të shprehur pakënaqësinë përmes protestës rreth mënyrës se si MKRS-ja ka ndarë mjetet nga pakoja ekonomike në emër të ringjalljes për klube dhe OJQ. Vetëm në dy vjetët e fundit, klubi ynë ka qenë fitues i Kupës së Kosovës e kampion i Kosovës”, thuhet në një njoftim të KHF Vushtrrisë, të publikuar në profilin zyrtar në “facebook”.

Fillimisht Vushtrrisë i ishin ndarë 10 mijë euro për projektin “Pjesëmarrje në gara ndërkombëtare”. Ndërkohë, pas rishikimit, Vushtrrisë i takuan 1160 euro. Në të vërtetë, Vushtrria i ka luajtur dy ndeshje evropiane në Zvicër, të cilat i ka humbur shumë thellë.

“Kjo shumë e ndarë, nga klubi ynë shihet vetëm si lëmoshë dhe jo si vlerë monetare e merituar dhe e nevojitur për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare. Duke parë listën e klubeve përfituese, të kujton kohën e diskriminimit etnik e politik, kur klubet shiheshin si pjesë e interesave politike e jo si vlerë sportive, në bazë të meritokracisë së angazhimit në këtë fushë. Prandaj klubi ynë do t’i bashkëngjitet zërit të arsyes përmes protestës, duke shpërfaqur para opinionit sportdashës pakënaqësitë dhe diskriminimin sportiv që po nënshtrohemi nga qarqe të caktuara brenda MKRS-së”, thuhet në komunikatë.

Ka pasur edhe akuza publike, përmes komenteve, për favorizim të klubeve e organizatave të caktuara nga ana e komisionit dhe drejtuesve të MKRS-së. Shumë klube kanë përfituar me dhjetëra mijëra euro, ndërsa një organizate i janë ndarë mbi 120 mijë euro, në një projekt shumë të diskutuar.