Sport

Kolgeci: Dhamë gjithçka por na mungoi fati

 

Portieria e Kosovës, Florentina Kolgeci, ka thënë pas ndeshjes me Poloninë se Kosovës i mungoi fati në disa raste. Ndërkohë, përmendi edhe tifozërinë “Dardanët”, të cilëve u bëri thirrje që të jenë të pranishëm në ndeshjet e ardhshme të Kosovës në futboll, në konkurrencën e femrave.

“Jemi munduar ta japim maksimumin për të dalë sa më mirë nga kjo ndeshje. Ndoshta fati nuk ishte me ne në pjesën e parë. U munduam të bënim gjithçka që ta barazonim apo ta fitonim ndeshjen, mirëpo nuk patëm fat. Kur luan për shtetin tënd, dëshiron të japësh 120% nga vetja. Unë ndihem shumë mirë në portën e Kosovës. U lëndova në kokë. Ishte një dhimbje që nuk ishte e durueshme, por duhet të sakrifikojmë gjithçka për fanellën e Kosovës”, tha fillimisht portieria e Mitrovicës.