Sport

Sfidat e Tahirit për t’u përgatitur për Lojërat Olimpike Dimërore

 

Albin Tahirit të mërkurën i është dashur të zgjohet në orën 5 të mëngjesit për t’u nisur me veturë nga Sllovenia për në Austri. Rrugën për në qendrën skitare në “Molltal Glacier” të Austrisë, Tahirit do t’i duhej ta bënte edhe në ditët vijuese, meqë qëndrimi në shtetin e Austrisë nuk i lejohet. Në Austri është e mbyllur gjithçka si masë parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit. Por Tahiri insiston se gjithë këtë sakrificë po e bën për t’u përgatitur sa më mirë për Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen vitin e ardhshëm në Kinë, përkatësisht në Pekin.

“Çdo ditë udhëtoj nga 2 orë e gjysmë për të shkuar dhe dy orë e gjysmë për t’u kthyer nga stërvitjet. E bëj këtë për shkak se Austria është në mbyllje totale si pasojë e masave anti-Covid dhe nuk punon asgjë, përfshirë hotelet e restorantet. Jam i detyruar të kthehem në shtëpi në Slloveni, që do të thotë se gjatë ditës i bëj pesë orë vozitje me veturë. Punon vetëm shtegu i skijimit në Austri. Më duhet të zgjohem në orën 05:00 të mëngjesit dhe të nisem për në shteg. Pastaj stërvitem derisa të punojë teleferiku. Pas kësaj më duhet të kthehem, sepse nuk më lejohet qëndrimi në Austri. Më duhet ta bëj këtë sakrificë për shkak se në afërsi ku jetoj nuk ka ende borë”, ka thënë Tahiri të mërkurën për KOHËN.