Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll këtë javë i luan ndeshjet e para në kuadër të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”. Për duelet me Norvegjinë dhe Danimarkën, përzgjedhësi Christos Marmarinos nuk e ka përfshirë në ekip asnjë lojtar të natyralizuar.
Kosova të enjten luan në udhëtim ndaj Norvegjisë, kurse të dielën e pret Danimarkën në Prishtinë, ndeshje këto që i takojnë Grupit C të fazës së parë parakualifikuese.
Në listën e gjerë të Marmarinos ishte përfshirë plejmejkeri Divine Myles, por që nuk fund nuk është ftuar.
Në një intervistë për KOHËN, Marmarinos të martën ka dhënë arsyet e tij që të luajë me lojtarë vendorë. Ai ka thënë se po shikon për opsione të tjera, lojtarë të tjerë që Kosova synon t’i natyralizojë.
Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), deri më tani, ka pesë lojtarë të natyralizuar. Para Mylesit, fanellën e Kosovës e patën bartur edhe amerikanët Justin Doellman, Scott Bamforth, Shawn Jones dhe Malcolm Armstead.
Marmarinos nuk ka zbuluar shumë detaje, por ka pranuar se ka shumë lojtarë që janë ofruar. Në fund do të zgjidhen vetëm ata që vërtet duan të luajnë për Kosovën.
“Po shikojmë për natyralizimin e lojtarëve tjerë dhe do të bëjmë zgjedhjen më të mirë të mundshme për të ardhmen e Kosovës në këtë aspekt. Kemi shumë oferta dhe lojtarët që vërtetë duan të vijnë dhe të luajnë për Kosovën, do të natyralizohen”, është shprehur Marmarinos.
Jo të gjithë të natyralizuarit kanë pranuar ftesat për të luajtur për Kosovën, pasi kanë marrë pasaportat që u shërbejnë për karrierë në Evropë.
Sa u përket dueleve me Norvegjinë e Danimarkën, Marmarinos ka pranuar se synimi është fitorja. Ka shtuar se dëshira është që të gjithë kosovarët në mbarë botën të ndihen krenar me paraqitjen e ekipit të tij. Tekniku grek ka insistuar se çdo ndeshje ndërkombëtare është e rëndësishme për Kosovën.
“Ne duam të fitojmë dhe të tregojmë paraqitje të mirë në çdo aspekt. Ne duam t’i bëjmë kosovarët të ndihen krenar në gjithë botën që ne i përfaqësojmë ata. Ky gjithmonë ka qenë synimi ynë dhe do të jetë pavarësisht se ku do të luajmë”, ka insistuar Marmarinos. “Secila ndeshje ndërkombëtare është e rëndësishme për Kosovën. Kjo na jep rastin ta përfaqësojmë shtetin dhe emrin e Kosovës ta bëjmë të njohur në mbarë Evropën”.
Kosova prej të hënës është vendosur në qytetin Bergen të Norvegjisë, ku edhe do ta zhvillojë ndeshjen kundër norvegjezëve të enjten. I zhvillon dy stërvitje para përballjes me Norvegjinë, ndërsa edhe dy i ka zhvilluar në Kosovë. Marmarinos ka pranuar se ky ishte grumbullimi më i vështirë i Kosovës, pasi për shkak të situatës me pandeminë nuk ka mundur të grumbullohet dhe të stërvitet më shumë. Në të vërtetë, Marmarinos kishte publikuar listën e zgjeruar, të cilën pastaj e ka reduktuar në 12 lojtarë, duke i shikuar ndeshjet e Superligës së Kosovës nga afër.
“Gjëja më e keqe ishte se për shkak të situatës me pandeminë ne nuk kemi mundur të stërvitemi ashtu siç kemi dashur dhe planifikuar. Unë gjithmonë i përcjellë ndeshjet e Superligës dhe në veçanti mundohem ta shikoj secilin lojtar. Nëse do të mundja do ta bëja edhe më shpesh përcjelljen e ndeshjeve nga afër”, tha Marmarinos.
Sipas tij, Përfaqësuesja e Kosovës po ngrihet hap pas hapi dhe ky është një proces tejet i rëndësishëm.
“Në regjionin tonë shumica e njerëzve janë adhurues të rezultateve. Por, mos të harrojmë se pas çdo rezultati është një proces. Ne nuk mundemi dhe nuk duam të ngrihemi menjëherë, pasi këtë duam ta bëjmë hap pas hapi dhe duke u përmirësuar”, shtoi Marmarinos.