Sport

Berisha: Shpresojmë në rezultate pozitive që në vitin e ri të hyjmë me energji pozitive

Futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës do të grumbullohen të hënën, për herë të fundit për këtë vit. Të mërkurën “Dardanët” e zhvillojnë miqësoren në Prishtinë kundër Jordanisë, ndërsa më 14 nëntor në Athinë, Kosova e luan kundër Greqisë ndeshjen e fundit të kualifikimeve për Botëror.

Mesfushori i “Dardanëve”, Valon Berisha thotë se dy ndeshjet e këtij muaji duhet të shërbejnë si përgatitje për ndeshjet e vitit të ardhshëm.

Pas kualifikimeve për Botërorin e vitit të ardhshëm, Kosova do të nisë garat në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Faza e grupeve e Ligës së Kombeve fillon më 2 qershor dhe përfundon më 27 shtator të vitit të ardhshëm. Kosova është në Ligën C edhe për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Ndërsa kualifikimet e rregullta për Evropianin e vitit 2024 zhvillohen nga marsi deri në nëntor të vitit 2023.

“Jam shumë i lumtur që kthehem sërish të luaj për Kosovën. Gjithmonë është kënaqësi kur jemi bashkë dhe sigurisht që qëllimi është që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e vitit tjetër. Na presin sfida të tjera dhe këto dy ndeshje duhet të na shërbejnë si përgatitje për ndeshjet e ciklit të ri të Ligës së Kombeve. Shpresojmë në dy ndeshje të mira”, ka thënë Berisha të dielën për KOHËN.

Berisha nuk ka luajtur për Kosovën në tri ndeshjet e fundit shkaku i lëndimit. Ai i mungoi Kosovës në ndeshjen ndaj Spanjës në shtator dhe kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë muajin e kaluar. Por, mesfushori thotë se është i gatshëm ta jap kontributin e tij për ndeshjet e këtij muaji, kundër Jordanisë dhe Greqisë.

Në listën e 24 futbollistëve të ftuar janë rikthyer edhe Edon Zhegrova i Baselit dhe Blendi Idrizi i Schalkes që munguan në grumbullimet e kaluara, shkaku i lëndimeve.

Jashtë kanë mbetur Ibrahim Dresheviq i suspenduar, Florent Hadërgjonaj i lënduar dhe Florent Muslija.

“Shpresojmë në rezultate pozitive për të hyrë në vitin e ri me energji pozitive. Me Greqinë kemi pasur ndeshje dhe qëllimi ynë është të arrijmë rezultat pozitiv, si gjithnjë. Shpresojmë të mos e mbyllim këtë cikël në pozitën e fundit. Do ta japim maksimumin për të arritur rezultat pozitiv në Athinë”, është shprehur mesfushori i skuadrës elitare të Francës, Reims.

Pas shtatë ndeshjeve të zhvilluara, Kosova zë vendin e fundit në Grupin B me katër pikë, sa i ka edhe Gjeorgjia që është e parafundit. Grupit i prin Suedia me 15 pikë, e përcjellë nga Spanja me 13 e Greqia me 9 pikë.

Berisha luajti të dielën për Reimsin nga minuta e 65-të në barazimin pa gola kundër Monacos.

Berisha pret të luajë edhe kundër Jordanisë dhe Greqisë, ndeshje që do të drejtohen nga përzgjedhësi i përkohshëm Primozh Gliha.

Trajneri slloven ka qenë ndihmës i Bernard Challandesit, që muajin e kaluar u largua nga posti i përzgjedhësit të “Dardanëve” pas rezultateve të dobëta në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.

Stërvitja e parë e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji do të mbahet të hënën në orën 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.