Sport

Muriqi mund të jetë titullar ndaj Marseillet

Vedat Muriqi mund të jetë titullar për Lazion në duelin kundër skuadrës së Marseillet në Ligën e Evropës.

Dueli mes Marseillet dhe Lazios i takon xhiros së katërt në Grupin E dhe nis në ora 21:00.

Ylli i skuadrës laciale, Ciro Immobile, është në dyshim për të luajtur ndonëse ka udhëtuar me klubin. Ende nuk dihet nëse ai do të jetë i gatshëm plotësisht, por nëse jo, mediat italiane shkruajnë se sulmuesi i Kosovës do ta zë vendin e tij në formacionin titullar.

Maurizio Sarri e ka vlerësuar si një prej ndeshjeve më të rëndësishme ballafaqimin kundër francezëve.

Lazio pozicionohet në vendin e dytë në grup me katër pikë pas tri ndeshjeve, teksa lider është Galatasaray me shtatë pikë.

Marseille është i treti me tri pikë, e në vendin e fundit renditet Lokomotiva e Moskës me një pikë.

Muriqi ka luajtur në nëntë ndeshje në të gjitha garat me Lazion sivjet dhe e ka vetëm një asistim.