Sport

Ajaxi sërish po shkëlqen me Ten Hagun

Shumë nga yjet që gati e çuan Ajaxin në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2019 kanë lëvizur përpara, por trajneri Erik ten Hag mbeti në krye dhe skuadra holandeze po provon edhe një herë të jetë befasia e madhe e kësaj gare të Evropës. Ajaxi shkon te Borussia Dortmundi të mërkurën si lider Grupit C të Championsit, me tri fitore në po aq ndeshje të luajtura dhe 11 gola të shënuar.

Me sulmuesin e Bregut të Fildishtë, Sebastien Hallerin në formë të pandalshme, Ajaxi i shënoi pesë gola ndaj Sportingut në Lisbonë dhe mposhti Dortmundin 4:0 në Amsterdam dy javë më parë. Të mërkurën, Ajaxi mund ta sigurojë kalimin në fazën e nokautit. Kjo do të ishte mbresëlënëse për një klub që vepron jashtë pesë ligave të mëdha evropiane dhe pa avantazhet financiare që gëzon elita e kontinentit. Ajaxi krenohet me një histori të madhe, diçka e qartë menjëherë me hyrjen në “Johan Cruyff Arena”, nuk është vetëm Cruyff, por lojtarë si: Marco van Basten, Jari Litmanen, Clarence Seedorf, Zlatan Ibrahimoviq dhe Wesley Sneijder, fotografitë e të cilëve zbukurojnë muret e stadiumit. Katër herë fituesit e Kupës Evropiane nuk kishin zgjidhje tjetër veçse t'i shisnin yjet më të mëdhenj të ecurisë së tyre deri në gjysmëfinale të vitit 2019, kur u privuan nga kalimi në finale nga një gol i Lucas Mouras i Tottenhamit në minutën e gjashtë të kohës shtesë. Frenkie de Jong, Matthijs de Ligt, Donny van de Beek dhe Hakim Ziyech ishin emrat kryesorë që u larguan. Dushan Tadiq ishte në mesin e atyre që qëndruan, por më i rëndësishmi ishte qëndrimi i trajnerit Ten Hag.

“Trajneri ynë është i fiksuar pas futbollit, ai është një perfeksionist”, tha Haller, i cili ka 13 gola këtë sezon, duke përfshirë gjashtë në Evropë. “Ai është pa dyshim një nga trajnerët më të mirë në botë. Ai ka një të ardhme të madhe përpara tij”.

Ten Hag mund të jetë në kulmin e karrierës së tij tani. 51-vjeçari u emërua në vitin 2017 pasi bëri një punë mbresëlënëse në Utrecht. Para kësaj ai kishte një periudhë si asistent i Steve McClarenit në Twente, duke ndihmuar në hedhjen e bazave që anglezi të fitonte titullin holandez në vitin 2010. Ten Hag vazhdoi të kalonte kohë në krye të rezervave të Bayernit, periudha e tij në Bavari përkon me atë të Pep Guardiolës. Tani emri i Ten Hagut përmendet te klubet e mëdha që po kërkojnë trajnerë, si Barcelona, Manchester United e Newcastle. Megjithatë, ai është nën kontratë me Ajaxin deri në vitin 2023.

“Asnjë klub tjetër nuk mund të më ofrojë të njëjtën rehati në punën time dhe jam i bindur se në vitet e ardhshme ne mund t'i shikojmë klubet më të mëdha në sy dhe të jemi në të njëjtin nivel me to”, tha ai.

Një klub që kaloi disa periudha të trazuara në dy dekadat e fundit është në gjendje të keqe financiare nën drejtimin e Edwin van der Sarit, ish-portieri i kthyer në president. Ajaxi vazhdon të mbështetet shumë në akademinë dhe lojtarë si Ryan Gravenberch dhe Jurrien Timber. Ata plotësohen nga lojtarë me përvojë si: Tadiq, Daley Blind, Davy Klaassen dhe Steven Berghuis. Megjithatë, ylli i madh është Haller, i nënshkruar nga West Hami për 22.5 milionë euro janarin e kaluar.

“Kurrë nuk jam ndier aq i fortë sa tani. Kam qenë shumë i lumtur që kur erdha në Ajax dhe tani po luaj në Ligën e Kampionëve. Është një ëndërr e realizuar”, tha Haller.

Nën Ten Hagun, Ajax është lider në Eredivisie me dy pikë më shumë se PSV Eindhoveni, që së fundmi e mposhti 5:0. Ajaxi këtë sezon po shënon gola për argëtim, pasi nëntë i shënoi kundër Cambuurit dhe po kërkon titullin e tretë në katër sezonet e fundit në Holandë.