NDAA‑ja nuk duhet parë si një garanci e thjeshtë sigurie. Ajo është një mundësi e rrallë për ta nxjerrë Kosovën nga statusi i një çështjeje të pazgjidhur dhe për ta pozicionuar si një histori suksesi në rajon. Por kjo nuk ndodh automatikisht. Kërkohen vizion politik, vendime të guximshme dhe reforma konkrete që e përkthejnë mbështetjen ligjore amerikane në ndikim real politik, ekonomik dhe ushtarak. Ky momentum nuk do të zgjasë përgjithmonë. Nëse ekziston një moment për ta maksimizuar ndikimin e NDAA-së, dhe të ngrejë peshë në arenën ndërkombëtare, ai moment është pikërisht tani
Ligji i ri amerikan për autorizimin e mbrojtjes (NDAA 2026) përveç që është një dokument buxhetor për ushtrinë e SHBA-së, është po ashtu një instrument strategjik që shtrihet në sferën diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë, duke prekur pos tjerash drejtpërdrejt ekuilibrat në Ballkanin Perëndimor. Ky është një avancim thelbësore. Për herë të parë, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, mbështetja amerikane për sovranitetin dhe stabilitetin e Kosovës nuk mbetet në nivel deklaratash politike, por merr formë ligjore, të detyrueshme për administratën amerikane. Kësisoj, Kosova hyn në arkitekturën e sigurisë amerikane jo si rast humanitar, por si interes strategjik.
Në thelb, NDAA e përfshin Kosovën si një nga gjashtë vendet kyçe për sigurinë e Ballkanit, duke e lidhur stabilitetin e saj me interesat strategjike të SHBA-së dhe sigurinë europiane. Ky mbase është një mesazh i qartë se Kosova nuk është më një çështje periferike, por pjesë e arkitekturës së sigurisë euroatlantike. Ligji përcakton se dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke dhe refuzon çdo ide për shkëmbim territoresh apo ndarje etnike, duke i dhënë Kosovës një mburojë ligjore kundër presioneve që kanë shoqëruar procesin e dialogut për më shumë se një dekadë. Ky pozicionim e bën të qartë se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të jetë në përputhje me parimet e stabilitetit dhe integritetit territorial, duke eliminuar hapësirën për zgjidhje të rrezikshme.
Por, NDAA nuk ndalet vetëm te siguria në kuptimin klasik. Ky ligj e lidh drejtpërdrejt stabilitetin me cilësinë e demokracisë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Për Kosovën, kjo do të thotë mbështetje konkrete për reforma institucionale, transparencë dhe ndërtim kapacitetesh. Ligji e bën të qartë: mbështetja nuk është automatike. Ajo varet gjithsesi nga rezultatet. Ky mekanizëm e kthen Kosovën nga një përfitues pasiv në një aktor që duhet të tregojë rezultate për të siguruar mbështetje të mëtejshme. Këtu hyn edhe Bashkimi Europian. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të Ohrit mbeten parakushte për integrim. Mbështetja amerikane për njohjen reciproke e forcon këtë linjë, por nuk e zëvendëson presionin e BE-së për reforma të thella. Nëse Kosova e përdor NDAA-në si katalizator për reforma dhe progres real në dialog, mund të fitojë avantazh në integrim, fonde dhe liberalizim ekonomik. Nëse jo, rrezikon të mbetet prapa rajonit, një stagnim i lodhshëm dhe politikisht i rrezikshëm.
Një tjetër element i rëndësishëm është përballja me ndikimet ruse dhe kineze. NDAA parashikon masa kundër dezinformimit, mbrojtje të hapësirës kibernetike dhe kontroll të investimeve strategjike. Për Kosovën, kjo hap mundësi për projekte në fushën e sigurisë digjitale, energjisë dhe teknologjisë, duke e pozicionuar vendin si pjesë të zinxhirit euroatlantik të sigurisë dhe jo si një pikë e dobët e ekspozuar ndaj presioneve gjeopolitike. Në këtë kuadër, mbështetja amerikane shtrihet përtej politikës, ajo krijon hapësirë për inovacion, modernizim dhe partneritete të reja ekonomike, duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme për zhvillim afatgjatë dhe rritje të qëndrueshme të kapaciteteve vendore.
Edhe dimensioni ushtarak përmes NDAA e ka sot një drejtim të qartë. Trajnime, pajisje, pjesëmarrje në stërvitje si Defender Europe, të gjitha këto e vendosin FSK-në në një trajektore të qartë drejt NATO-s. Prania amerikane nuk e bën sigurinë e Kosovës të pakontestueshme, por e bën atë të parashikueshme dhe të mbështetur në partneritete të forta.
Megjithatë, asgjë nga këto nuk është e garantuar. NDAA hap një horizont të ri mundësish, por nuk prodhon rezultate vetvetiu. Ky momentum është mjeti i vetëm për të avancuar pozicionin në dialog, për të ruajtur ritmin e integrimit euroatlantik dhe për të shmangur presionet për kompromise të paqarta e potencialisht të rrezikshëm. Nuk e imagjinoj dot një mundësi e vlefshme të na kalojë pranë pa u shfrytëzuar.
Njohja reciproke gjithashtu është vendosur si parim themelor, por vetëm prania e këtij parimi nuk mjafton nëse Kosova nuk e shfrytëzon këtë pozicion për të shtyrë përpara zbatimin e marrëveshjeve dhe për të konsoliduar realisht pozitën e saj. Historia e dialogut ka treguar qartë se, sa herë që mungon përparimi, hapet menjëherë terren për “kompromise kreative”: autonomi të zgjeruara, modele hibride dhe zgjidhje që, në emër të stabilitetit, përfundojnë duke cenuar sovranitetin.
NDAA e vendos Kosovën brenda një kornize të re sigurie, ku rreziqet tradicionale dhe ato hibride trajtohen si pjesë e së njëjtës ekuacion strategjik. Pikërisht këtu hyn edhe kërcënimi nga ndikimet ruse dhe kineze. Ligji parashikon mekanizma për t’i identifikuar dhe frenuar këto ndërhyrje, por zbatimi i tyre varet tërësisht nga kapacitetet e brendshme të Kosovës. Pa një infrastrukturë serioze të sigurisë kibernetike dhe pa një mbrojtje aktive të hapësirës publike nga dezinformimi, Kosova mbetet terren i përshtatëshëm për operacione hibride, pra pikërisht atë lloj dobësie që NDAA synon ta adresojë. Në këtë kuptim, ligji nuk mbron automatikisht, por ai detyron veprim.
E njëjta logjikë e kushtëzimit shtrihet edhe në dimensionin ushtarak. NDAA e pozicionon Kosovën për të pasur qasje më të thelluar në trajnime, pajisje dhe stërvitje të përbashkëta me SHBA‑në, instrumente kyçe për ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe afrimin me NATO‑n. Por këto nuk materializohen nëse Kosova mbetet pasive. Çdo hezitim e frenon profesionalizimin e FSK‑së dhe e shtyn gjithnjë e më larg perspektivën e integrimit në NATO. Ndërkohë, në një rajon ku arkitektura e sigurisë është e brishtë dhe tensionet janë reale, mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme mbrojtëse e bën vendin të varur nga një prani ndërkombëtare që, sipas vetë NDAA‑së, nuk është e përhershme. Kjo varësi është një risk i panevojshëm dhe i pajustifikueshëm për të ardhmen e sigurisë së Kosovës.
Po ashtu në dimensionin ekonomik, kostoja e mosveprimit rezulton më e lartë sesa reflektohet në diskursin publik. Kriteret e NDAA‑së, që e lidhin mbështetjen dhe partneritetet strategjike me progres të verifikueshëm politik, duhet të kuptohen si instrumente orientuese për vendimmarrje të qëndrueshme, jo si procedura formale. Nevoja për t’u përfshirë në këto mekanizma nuk është opsion, por parakusht.
Në fund të fundit, rreziku më i madh është humbja e momentumit diplomatik. Kuadri i NDAA‑së e pozicionon Kosovën brenda agjendës strategjike amerikane, por kjo vëmendje mbetet e kushtëzuar dhe e varur nga rezultatet në terren. Nëse progresi mungon, interesi amerikan zhvendoset drejt prioriteteve të tjera globale dhe Kosova mbetet me më pak mbështetje dhe me më shumë presion për kompromise. Në një skenar të tillë, ekziston rreziku që Kosova të kalojë nga statusi i partnerit strategjik në një çështje të pazgjidhur, më e ekspozuar ndaj paqëndrueshmërisë rajonale dhe me hapësirë të kufizuar manovrimi politik.
Prandaj, NDAA‑ja nuk duhet parë si një garanci e thjeshtë sigurie. Ajo është një mundësi e rrallë për ta nxjerrë Kosovën nga statusi i një çështjeje të pazgjidhur dhe për ta pozicionuar si një histori suksesi në rajon. Por kjo nuk ndodh automatikisht. Kërkohen vizion politik, vendime të guximshme dhe reforma konkrete që e përkthejnë mbështetjen ligjore amerikane në ndikim real politik, ekonomik dhe ushtarak. Ky momentum nuk do të zgjasë përgjithmonë. Nëse ekziston një moment për ta maksimizuar ndikimin e NDAA-së, dhe të ngrejë peshë në arenën ndërkombëtare, ai moment është pikërisht tani.