Sport

Milani po dëshmon se nuk është i varur nga Ibrahimoviqi

FOTO: AP
 

Nëntë fitore e një barazim është bilanci i Milanit këtë sezon në Serie A. Skuadra nga “San Siro” është përmirësuar edhe më shumë sesa sezonin e shkuar, kur pati një start prej dhjetë ndeshjeve pa humbje. Këtë edicion, Milani ka një fitore më shumë se vitin e kaluar dhe një dallim të madh: ekipi nuk duket më plotësisht i varur nga sulmuesi Zlatan Ibrahimoviq.

I ngadalësuar nga lëndimet, 40-vjeçari Ibrahimoviq i ka luajtur vetëm katër ndeshje në Serie A këtë sezon dhe ka shënuar dy gola. Është kjo një shenjë pjekurie për një nga skuadrat më të reja në ligën italiane, që po ndjek titullin e parë në Serie A pas një dekade.