Sport

Me gol të mbrojtëses, Kosova shënon fitoren e parë në kualifikimet e Botërorit

Descriptive Text

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (femrat) tashmë ka fitore në kualifikimet për Kampionat Botëror. Të parën e ka arritur të martën mbrëma në Jerevan. Futbollistet e Kosovës e kanë mposhtur Armeninë me rezultatin 1:0.

Fitorja ishte e vështirë, ndonëse në fushë dominuan lojtaret e Kosovës. Golin e vetëm e realizoi mbrojtësja e qendrës, Liridona Syla.

Po luhej minuta e 87-të, kur Kosova fitoi një goditje nga këndi. Krosimin e bëri Donjeta Halilaj, ndërsa më së larti u shkëput Syla, që shquhet edhe për lojën në ajër. Ajo gjuajti saktë e fuqishëm për ta dërguar topin në rrjetë dhe për të siguruar gëzim të madh te lojtaret e Kosovës.

Kosova tani i ka katër pikë në Grupin F të kualifikimeve evropiane për Botërorin e vitit 2023. Pikën e parë e kishte fituar në ndeshjen hapëse ndaj Shqipërisë, më 16 shtator në Tiranë (1:1). Më pas humbi 3:0 nga Norvegjia, më 21 shtator në Prishtinë. Norvegjia vlerësohet favorite e grupit. Por një humbje 7:0 nga Belgjika, të enjten e kaluar, ishte e papritur për “Dardanet”. Është humbja më e thellë e Kosovës deri më tani dhe pritej reagim në Armeni. Ai erdhi, ndonëse me shumë vështirësi.

Kosova për herë të dytë paraqitet në kualifikimet e Botërorit. Në vitin 2017 ishte paraqitur në raundin preliminar të kualifikimeve për Botërorin 2019. Kishte humbur 3:2 nga Shqipëria, 6:0 nga Greqia dhe 3:1 nga Malta. Në kualifikimet për “Euro 2021” mori tri fitore e një barazim, ndërsa tani fitore e barazim ka edhe në kualifikimet për Botërorin 2023.

Përzgjedhësja Afërdita Fazlija ka pranuar se fitorja ishte shumë e vështirë.

“Ishte një ndeshje shumë më e vështirë sesa e kemi pritur. Si në pjesën e parë ashtu edhe në pjesën e dytë shpërdoruam shumë raste. Armenet u treguan shumë të forta dhe të vështira për t’u mposhtur. Megjithatë në fund vajzat arritën të shënojnë dhe të fitojmë tri pikë që janë shumë të vlefshme për neve në vazhdim të kualifikimeve”, ka thënë Fazlija.

Për mbrojtësen Liridona Syla ishte goli i dytë me Kosovën. Ajo ka shënuar edhe më 30 gusht të vitit 2019 në fitoren 2:0 ndaj Turqisë. Ishte fitorja e parë e Kosovës në ndeshje zyrtare.

Syla ka shënuar gola të rëndësishëm edhe për Mitrovicën, sidomos në kampanjën e suksesshme kualifikuese në Champions, në vitin 2019. Kishte realizuar gola në fitoret ndaj Olimpia Cluj dhe NSA Sofia.

Syla vazhdon të luajë për Mitrovicën.

“Luajtëm mirë. Krijuam shumë raste, por para portës nuk u treguam të vëmendshme dhe nuk konkretizuam. Jam e lumtur që shënova dhe i sigurova fitoren Kosovës. Golin e fitores, veç Kosovës, ia dedikoi edhe babait tim të ndjerë”, ka thënë Liridona Syla.

Kosova i kishte 18 tentime për gol në këtë ndeshje. Pesë goditje shkuan në portë, 11 ishin të pasakta e dy të bllokuara. Armenet kishin tri goditje drejt portës, gjashtë të pasakta e dy të bllokuara.

Kosova kthehet në kualifikime më 25 nëntor. E pret Poloninë në “Fadil Vokrri”. Në shtëpi e luan edhe ndeshjen tjetër ndaj Shqipërisë, më 30 nëntor. Më pas nuk ka ndeshje kualifikuese deri në prill 2022. Dy ndeshje i luan në prill e dy në shtator.

Pozita e parë siguron biletën për Botëror. E dyta dërgon në plejof. Dy pozitat e para thuajse janë të paarritshme për Kosovën, të paktën me atë që është shfaqur deri më tani. Norvegjia e Belgjika duken pa konkurrencë. Por edhe Polonia është pranë tyre. Me shumë gjasë Kosova do të zhvillojë garë të fortë me Shqipërinë për vendin e katërt në grup. Vendi i fundit (6) është thuajse i rezervuar për Armeninë.

Armenia është pa pikë. Ka humbur 10:0 nga Norvegjia në udhëtim e 5:0 nga Shqipëria. Në shtëpi është mbajtur më mirë. Pësoi “vetëm” 1:0 nga Polonia e tani edhe nga Kosova.