Sport

Paqarada në dyshim për të luajtur ndaj Hansa Rostockut

St. Pauli ka probleme me krahun e majtë të mbrojtjes, pasi është raportuar se Leart Paqarada është në dyshim për të luajtur.

Mbrojtësi 27-vjeçar është një prej lojtarëve kyç te skuadra e vet, por është në dyshim për të luajtur të dielën kundër Hansa Rostockut.

St. Pauli luan ndaj Hansa Rostockut të dielën nga ora 13:30.

“Për fat të keq, Paqarada është dashur t’i ndërpres stërvitjet të mërkurën. Ai ka pasur dhembje në gju. Nuk e dimë sa serioz është lëndimi i tij, por mbetet në dyshim për të luajtur. Nuk do të rrezikojmë asgjë, por shpresoj që ai të jetë i gatshëm për lojë sepse është lojtar i rëndësishëm për ne. Do të presim e të shohim”, ka thënë trajneri i skuadrës Timo Schultz, i cili shtoi se do të vendos për të një ditë para ndeshjes.

Paqarada në sezonin e ri ka zhvilluar 11-të ndeshje në të gjitha garat dhe e ka një gol të shënuar e dy asistime.

St. Pauli aktualisht gjendet në pozitën e parë në Bundesliga 2. Ka 22 pikë pas 10-të ndeshjeve, tri më shumë se Regensburgu e Schalke që mbajnë pozitat dy dhe tre.