Pronësia e re saudite e Newcastle Unitedit bëri thirrjen e saj të parë të madhe qëkur bleu klubin anglez, duke shkarkuar trajnerin Steve Bruce të mërkurën si pjesë e përpjekjeve për të riformuar ekipin dhe për të qëndruar në Premier League. Kishte një pashmangshmëri në lidhje me largimin e Brucet, të cilit nuk iu dha asnjë garanci për të ardhmen e tij afatgjate në Newcastle pasi klubi u ble për 355 milionë euro nga fondi sovran i pasurisë së Arabisë Saudite dy javë më parë. Bruce 60-vjeçar u largua me pëlqimin e ndërsjellë, tha Newcastle, edhe pse ai këmbënguli javën e kaluar se do të luftonte për të qëndruar si trajner i klubit të tij të lindjes, të cilit iu bashkua në korrik të vitit 2019.
“Shpresoj se pronarët e rinj mund ta çojnë klubin atje ku ne të gjithë duam të jetë”, tha Bruce pas shkarkimit të tij, duke thënë se ishte krenar që e stërviti një klub unik.
Bruce e lë Newcastlen në pozitën e parafundit në Premier League dhe pa fitore në tetë xhirot e para. Ka tubuar vetëm tri pikë pas tri barazimeve e pesë humbjeve. Ndeshja e tij e fundit te Newcastle, humbja 3:2 nga Tottenhami të dielën e shkuar, ishte e njëmijta për Brucen si trajner dhe gjatë saj tifozët brohorisnin për shkarkimin e tij. Ish-trajneri i Romës dhe Shakhtar Donetskut, Paulo Fonseca është kandidati kryesor për ta zëvendësuar Brucen të Newcastle, por deri në zyrtarizimin e tij klubi do të udhëhiqet nga ndihmësi Graeme Jones. Ky i fundit është trajner i përkohshëm i Newcastlet dhe do të jetë në krye të ekipit për duelin kundër Crystal Palacet që luhet të shtunën. Në mesin e trajnerëve të kontaktuar nga klubi thuhet se ishte edhe Antonio Conte por kërkesat e tij ishin të mëdha. Italiani ka kërkuar pagë vjetore mbi 15 milionë euro dhe pesë top-përforcime gjatë afatit kalimtar të janarit. Bruce, një ish-mbrojtës i Manchester United, nuk ishte një trajner i popullarizuar në stadiumin “St. James Park” sepse ai më parë kishte stërvitur rivalin më të madh të Newcastlet, Sunderlandin. Tifozët e Newcastlet gjithashtu e panë atë si një nënvlerësim të paraardhësit Rafael Benitez dhe kritikuan stilin e tij të lojës, edhe pse ekipi u përpoq të përvetësonte një qasje më të gjerë në muajt e tij të fundit në krye. Newcastle përfundoi në vendin e 13-të dhe të 12-të, në dy sezonet e plota të Brucet si trajner.
“Në kohën kur arrita në Newcastle, mendova se mund të përballoja gjithçka që më hidhej”, pranoi Bruce, i cili ishte trajner në nëntë klube para Newcastlet. “Por, ishte shumë vështirë. E ndieja se njerëzit donin që unë të dështoja, pasi më konsideronin si të padobishëm. Ata mendonin se unë nuk isha i aftë dhe këtë e kam vërejtur që nga dita ime e parë në klub”.
Newcastle tha se kërkimi ka filluar për një zëvendësim. Kushdo që merr punën do të bëhet trajner i një klubi që brenda pak vjetësh pritet të jetë sfidues për kualifikimin në Ligën e Kampionëve, duke pasur parasysh burimet e mëdha në dispozicion të Fondit të Investimeve Publike, i cili tani është pronari i ri.
Megjithatë, detyra e parë është që pronësia e re ta mbajë Newcastlen në elitën e futbollit anglez edhe sezonin tjetër. Pritet që gjatë afatit kalimtar të janarit drejtuesit të bëjnë disa transferime për ta përmirësuar ekipin, i cili deri më tani ka pranuar 19 gola dhe ka shënuar vetëm dhjetë sosh. Newcastle ka vetëm një pikë më shumë se Norwichi që renditet i fundit në tabelë.
“Kjo blerje duhej të ndodhte që klubi të përmirësohej. Duhej të ndodhte që Newcastle të kishte një shans për të qenë klubi që të gjithë mendojmë se duhet të jetë”, insistoi Bruce. “Unë bëra më të mirën. Unë do t'ua lë njerëzve të tjerë të gjykojnë nëse kam vepruar mirë apo jo. Pronarëve të rinj, lojtarëve dhe tifozëve u dëshiroj suksese”.