Sport

Rrahmani i vendosur të fitojë trofe me Napolin

Descriptive Text

Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani, ka thënë se në këtë edicion dëshiron të fitojë gjithçka me Napolin, raporton të martën “Corriere dello Sport”. Ai ka pranuar se synimi është titulli i kampionit në Serie A, i cili i mungon Napolit prej vitit 1990.

Mirëpo Rrahmani ka shtuar se është e rëndësishme që të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të fokusohen nga ndeshja në ndeshje, pasi kampionati është i gjatë. Pas tetë xhirove të luajtura këtë edicion në elitën e futbollit italian, Napoli ka regjistruar po aq fitore dhe prin në tabelë me 24 pikë të grumbulluara. Sipas mbrojtësit, këto rezultate janë arritur falë punës së trajnerit Luciano Spalletti, angazhimit të lojtarëve në fushë, por edhe përkrahjes së madhe të tifozëve.

“Tifozët po na ndihmojnë shumë me përkrahjen e tyre dhe duket se kjo po ka efekt në fushë, pasi ekipi po luan mirë. Të gjithë po angazhohemi në secilën ndeshje dhe duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë. Nuk e di se çka do të ndodhë në muajt në vazhdim, por unë dua të fitoj gjithçka me Napolin këtë sezon”, është shprehur Rrahmani. “Deri më tani kemi bërë një punë shumë të mirë, por duhet të tregohemi të kujdesshëm, sepse kampionati është shumë i gjatë dhe duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Tani vijnë ndeshjet e vështira dhe duhet të jemi të fokusuar”.

Rrahmani 27-vjeçar, kohët e fundit është shndërruar në titullar të padiskutueshëm te Napoli. Për formën e mirë që e ka treguar te Napoli, ai meritat ia ka dhënë trajnerit Spalletti, i cili e mori drejtimin e ekipit para fillimit të këtij sezoni.

“Spalletti i përgatit ndeshjet shumë mirë dhe kur përballemi me kundërshtarët ne veçse i kemi parasysh dobësitë e tyre. Për çdo ditë trajneri më jep këshilla në stërvitje. Ndoshta për momentin duken detaje të vogla, por kur bashkohen bëhen shumë të rëndësishme për mua dhe më mundësojnë që të zhvillohem edhe më shumë”, ka shtuar Rrahmani.

Deri më tani Rrahmani ka gjashtë paraqitje për Napolin në të gjitha garat, duke realizuar edhe dy gola në kampionat. Ai te Napoli po luan përkrah senegalezit Kalidoi Koulibaly në qendër të mbrojtjes.

“Koulibaly është njëri prej mbrojtësve më të mirë në Evropë dhe të luash përkrah tij është shumë e lehtë. Ndërsa nëse gjen gjuhën e përbashkët, atëherë gjërat vetëm se do të bëhen edhe më të thjeshta”, ka thënë Rrahmani, i cili ia ka zënë vendin Kostas Manolasit.

“Vitin e shkuar kam luajtur me Manolasin, por këtë vit nuk kemi luajtur ende. Në fakt, kam luajtur me të gjithë, me Maksimoviqin, Koulibalyn dhe Manolasin. Të gjithë jemi të rëndësishëm për ekipin, pasi mendoj se një ekip i fortë duhet t’i ketë katër qendërmbrojtës të nivelit të mirë”.

Rrahmani foli edhe për Përfaqësuesen e Kosovës. Beson që gjërat po shkojnë në rrugën e duhur. Kosova këtë muaj i pësoi dy humbje në kuadër të eliminatoreve për kampionatin botëror “Katari 2022”. U mposht në udhëtim nga Suedia (3:0) dhe në shtëpi nga Gjeorgjia (1:0) për të rënë në pozitën e fundit në Grupin B, me katër pikë pas shtatë ndeshjeve.

“Është kënaqësi dhe nder i madh të jem kapiten i Kosovës. Unë e përfaqësoj popullin tim. Ne kemi pesë vjet që jemi përfaqësuese dhe po rritemi gradualisht. Natyrisht, fillimi nuk është kurrë i lehtë, por ne po punojmë shumë dhe shpresojmë që paraqitjet dhe rezultatet gjithmonë të shkojnë në drejtimin e duhur”, është shprehur Rrahmani, që ka pesë gola në 38 ndeshje për Kosovën.

Rrahmani iu bashkua Napolit vitin e shkuar nga Verona dhe ka kontratë deri në verën e vitit 2024.