Sport

Te Besa thonë se edhe lojtarët e Borcit u janë bashkuar thirrjeve nacionaliste

Lidhur me fyerjet ndaj shqiptarëve në ndeshjen e hendbollit Borci – Besa Famgas, të hënën një njoftim e ka lëshuar edhe klubi pejan.

Kampionia e Kosovës në hendboll, Besa Famgas, u takua me Borcin në Banjallukë të Republika Srpskas në Bosnjë-Hercegovinë. Humbi 28:25, por rezultati jep shpresë për ndeshjen e kthimit që është të dielën në Pejë.

Te Besa kanë thënë se pritja nga nikoqirët ishte në nivel. Besa ka shkruar për fyerjet e ndryshime të tifozëve serbë, ndërsa ka përmendur faktin se delegati dhe arbitrat sllovak kanë vlerësuar se çdo gjë ishte në rregull.

Sipas klubit pejan, më e keqja ishte që lojtarët e Borcit pas përfundimit të ndeshjes u janë bashkuar thirrjeve nacionaliste. “Shihemi të dielën në ‘ferrin e Karagaçit’”, shkruan në njoftimin e Besa Famgas.