Sport

Spursi fitoi ndeshjen që u ndërpre 20 minuta, tifozit iu dha ndihma me defibrilator

Ndeshja e xhiros së tetë në Premier League ndërmjet Newcastlet dhe Tottenhamit u ndërpre për 20 minuta pasi një tifozi iu kërkua ndihma e stafit mjekësor para se ai të dërgohej në spital.

Të dielën, Tottenhami e fitoi duelin e vështirë në udhëtim te Newcastle 3:2. Skuadra e Newcastlet e filloi periudhën e re me humbje në shtëpi, me pronarët e rinj arabë.

Rezultati ishte në plan të dytë të dielën në mbrëmje. Ishte lojtari i Tottenhamit, Eric Dier, i cili njoftoi për emergjencë, ndërsa nga stafi mjekësor u përdor defibrilatori, pajisja e njëjtë që e ringjalli mesfushorin danez, Christian Eriksen.

Lojtarët fillimisht pritën në fushë para se të hynin në dhomat e zhveshjes në stadiumin “St. James’ Park”.

“Ka emergjencë mjekësore në tribunën lindore”, është dëgjuar duke thënë spikeri zyrtar i ndeshjes, i cili më vonë njoftoi shikuesit se lojtarët do të kthehen në fushë.

Tifozit i është dhënë ndihma mjekësore në tribuna dhe u largua nga fusha drejt spitalit me duartrokitje nga të pranishmit. Gjendja e tij është stabilizuar, ka shkruar AP.

“Mendjet tona janë te personi që iu desh ndihma mjekësore”, tha spikeri zyrtar i ndeshjes.

Golat në fitoren e Tottenhamit i shënoi Tanguy Ndombele, Harry Kane dhe Heung-Min Son.