Sport

Vetëm humbje për skuadrat e hendbollisteve

Të shtunën, si rrallë ndonjëherë, tri skuadra kosovare të hendbollit (femrat) kanë luajtur ndeshje evropiane. Vushtrria, Istogu e Prishtina janë paraqitur në raundin e dytë të Kupës Evropiane, që është niveli i tretë i garave evropiane.

Dhe bilanci i tyre ishte negativ. Të tria skuadrat kanë pësuar humbje.

Istogu e ka mbyllur garimin evropian në raundin e dytë të Kupës Evropiane, ndërsa thuajse pa gjasa për avancim tutje janë edhe kampionia aktuale, Vushtrria, dhe Prishtina.

Istogu në palestrën e vet luajti dy ndeshje me skuadrën nga Islanda, KA/Por. Derisa të premten humbi me shifrat 26:22, të shtunën në ndeshjen e dytë pësoi me 37:34. Istogut i kushtoi loja tejet e zbehtë në pjesën e parë, në mbrojtje. Pas 30 minutave, rezultati ishte 24:15 për islandezet. Në pjesën e dytë, istogaset u angazhuan më shumë, u afruan deri në dy gola, por kjo ishte e tëra. Në fund rezultati ishte 37:34 për KA/Por, që avancon tutje.

Esma Muratoviq shënoi 16 gola nga 27 tentime për Istogun. Shtatë gola nga tetë tentime i kishte Albina Rugova, ndërsa gjashtë gola nga shtatë tentime i shënoi Anja Bojaniq.

Në palestrën e vet luajti edhe KHF Prishtina. Prishtina e luajti ndeshjen e parë të raundit të dytë të Kupës Evropiane, ndërsa përballë e kishte Vardarin e Shkupit, që në dekadën e kaluar ishte prej skuadrave kryesore evropiane. Vardari është riorganizuar, bazohet në lojtare të reja vendore dhe është kthyer në skenën evropiane pas tre vjetësh. Është kthyer me fitore 39:35. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:15 në të mirë të skuadrës nga Shkupi. Derisa pjesa e parë ishte e barabartë, e dyta u takoi mysafireve.

Ndeshja e kthimit është pas një jave në Shkup.

Ndeshja e dytë nuk pritet t’i shërbejë fare Vushtrrisë. Vushtrria është pajtuar që dy ndeshjet me SPONO Eagles t’i luajë në Zvicër. Dhe, ashtu siç pritej, ndeshjen e parë e humbi me rezultat të lartë. Të shtunën në Nottwil, SPONO Eagles fitoi me rezultat 42:14. Pas pjesës së parë rezultati ishte 21:7. Te Vushtrria efikasiteti ishte shumë i ulët, ndërsa telashe të mëdha ka pasur edhe në mbrojtje. Kështu ndeshja e dytë, që është të dielën nga ora 19:00, është më shumë formalitet.

Javën e ardhshme dy ndeshje në Holandë i luan KHF Ferizaj, që po ashtu ka fare pak gjasa.

Ndërkohë, hendbollistët e Besa Famgas të dielën nga ora 18:00 takohen me Borcin në Banjallukë. Synimet e skuadrës pejane janë për të avancuar në raundin e tretë të Kupës Evropiane.