Sport

Raphinha, shpresa e re e Brazilit në kualifikimet e Botërorit

Një muaj më parë, Raphinha kishte frikë se Përfaqësuesja e Brazilit nuk do ta ftonte më kurrë për të luajtur në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, pasi ai dhe lojtarët e tjerë që ishin në Angli u ndaluan të luanin për vendet e tyre shkaku i kufizimeve të COVID-19 në Britani. Por, përzgjedhësi i Brazilit, Tite, ishte i sigurt për potencialin e sulmuesit të krahut, 24-vjeçarit të Leedsit dhe vendosi t’ia japë atij një shans tjetër. Raphinha i bëri për vete shpejt tifozët brazilianë, pas dy paraqitjeve mbresëlënëse që i pati duke u inkuadruar nga banka e rezervistëve në dy ndeshjet e fundit kualifikuese. Ai së pari e shpëtoi ekipin duke ndihmuar në fitoren 3:1 në Venezuelë dhe luajti mirë në barazimin pa gola në Kolumbi.

Tani, anësori që nuk ishte ndër opsionet e para të trajnerit Tite pritet të jetë titullar në ndeshjen e së enjtes kundër Uruguait në Manaus, duke luajtur pranë Neymarit dhe Gabriel Jesusit. Raphinha pritet t’i japë Brazilit një armë tjetër të fuqishme; ai luan në të majtë, por gjuan me këmbën e tij të djathtë. Kundër Venezuelës, Brazili kishte telashe në krijimin e shanseve gjatë pjesës së parë. Në të dytën, Raphinha e zëvendësoi Everton Ribeiron dhe ndikimi ishte i menjëhershëm. Raphinha ishte ai që harkoi nga këndi kur Marquinhos shënoi për ta barazuar rezultatin. E nisi aksionin për Gabriel Barbosan që u rrëzua në zonë dhe fitoi penallti, ndërsa asistoi edhe për Antonyn që shënoi golin e tretë për Brazilit në minutat e fundit të ndeshjes.

Raphinha ishte gjithashtu çelësi që Brazili të mbante posedimin e topit në ndeshjen fizike kundër Kolumbisë. Performanca e tij ishte e dobishme pasi Neymari ishte nën nivel, dhe shumë tifozë përdorën mediat sociale për të thënë se i sapoardhuri meritonte të merrte vendin e Neymarit. Tite vlerësoi Raphinhan në konferencën për media të mërkurën, por gjithashtu u përpoq të ulte pritjet për lojtarin. Ai gjithashtu e kishte thirrur anësorin gjatë dritares ndërkombëtare të prillit, por Raphinha nuk udhëtoi për shkak të lëndimit.

“Ai mund të luajë në krah, është i shpejtë, mund të kalojë, mund të përfundojë aksionet dhe është i dobishëm”, tha Tite. “Por le ta marrim më lehtë, pasi pritjet e mëdha nuk janë të mira”.

Raphinha zgjodhi të luante për Brazilin në vend të Italisë. Babai i tij është italian dhe ai ka një pasaportë italiane si shumë lojtarë që tashmë janë pjesë e Italisë, si mesfushori Jorginho dhe mbrojtësi Emerson. Anësori ishte duke u monitoruar nga Italia deri vonë kur Tite e ftoi të luante për Brazilin. Ai u ndalua të shkonte në Amerikën e Jugut muajin e shkuar për ndeshjet ndërkombëtare, sikurse tetë lojtarë të tjerë brazilianë, sepse klubet e Premier Leagues nuk donin që yjet e tyre të karantinoheshin për dhjetë ditë në një hotel pas kthimit në Britani.

“Muajin e shkuar isha i mërzitur që nuk munda të shkoja dhe t’i bashkohesha ekipit. Mendova se nuk do të ftohesha më, por tani jam këtu sërish dhe po mundohem të jap më të mirën nga vetja”, tha Raphinha.