Sport

Skenderaj synon suksese në palestrën që e priti gjatë

Katër trofe i ka fituar klubi i volejbollit Skenderaj gjatë periudhës së pasluftës në Kosovë. Ka një titull, një Kupë dhe dy Kupa të Federatës të fituara. Por asnjërin prej sukseseve nuk e ka festuar në Skenderaj. Të gjitha sukseseve i është gëzuar jashtë qytetit të Skenderajt, meqë ndeshjet si vendas i ka zhvilluar nëpër palestra të ndryshme të Kosovës. Por volejbollistet e skuadrës nga Skenderaj që nga e mërkura kanë rastin t’u gëzohen fitoreve dhe sukseseve në Skenderaj, meqë janë bërë me palestër që plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve në nivel vendi.

Palestra e nisur 12 vjet më parë është përuruar të mërkurën, por për gara ndërkombëtare duhen ende investime. Megjithatë, ndërtimi i palestrës në qendër të qytetit të Skenderajt i ka gëzuar shumë trajnerin, volejbollistet dhe zyrtarët e skuadrës së femrave Skenderaj.

“Kemi stërvitur në palestra që nuk kanë pasur dritare. Na ka përgjysmuar suksesin, pasi po të kishim kushte më të mira siç do t’i kemi tash, sukseset do të ishin edhe më të mëdha. Shumë vajza e kanë filluar dhe në mungesë të kushteve janë tërhequr. Por shpresoj që tash karriera e tyre të jetë më e gjatë dhe më e suksesshme”, tha trajneri i KVF Skenderaj, Ylli Kadriu.

Në fakt, klubi i volejbollit Skenderaj është stërvitur në kushte të vështira. Ka luajtur nëpër salla të ndryshme të shkollave, që as për së afërmi nuk i kanë plotësuar kriteret për një ndeshje volejbolli. Por këto probleme janë tejkaluar, ndërsa trajneri Kadriu beson se motivi do të jetë më i madh për punë dhe suksese te volejbollistet. Madje, thotë se edhe gjeneratat e reja do të nxiten të merren më shumë me sportin e volejbollit. Ai shpreson që këtë edicion skuadra e tij do të dalë fituese e kampionatit. Rrugën për ta fituar titullin e ka nisur mbarë.

“Unë besoj se kjo palestër do të jetë motiv për gjeneratat e reja dhe shpresojmë që këtë edicion, por edhe të tjerët të sjellim trofe në qytetin tonë. Shpresojmë së bashku të korrim vetëm suksese me ata që dhanë kontributin për t’u ndërtuar”, shtoi ai.

Për këtë edicion, Skenderaj ka kthyer Elvira Bajraktarin, ndërsa është përforcuar edhe me Ana Fasulevan nga Maqedonia e Veriut, kurse ka vazhduar bashkëpunimin edhe me Bleona Kadriun. Edhe Hyrije Goxhuli thotë se gjasat për të arritur sukses janë edhe më të mëdha me palestër te re.

“Ne gjithmonë kemi qenë kampion, por na ka munguar një vend ku ta sjellim kupën dhe ndoshta shkaku i kësaj, nuk kemi mundur të fitojmë, por tash kemi vendin dhe kupat besoj se do të vijnë këtu”, ka thënë Goxhuli.

Ndërkohë, kryetari i klubit, Agron Istogu, thotë se sukseset do të ishin edhe më të mëdha nëse Skenderaj do ta kishte palestrën të ndërtuar vite më parë. Istogu ngul këmbë se në palestrën e ndërtuar pas 12 vjetësh ka mangësi.

“Kemi fituar shumë trofe në kushtet të cilat kemi qenë, por ka qenë motivi i madh dhe dua të besoj se shumëfish do të jetë më i madh, pasi është palestra ajo që na mundëson për t’u kurorëzuar me titull të kampionit”, tha Istogu. “Palestra i plotëson kushtet, por ndriçimi dhe disa gjëra i mungojnë, e që shpresoj me kohë do të përmirësohen”.

Palestra e ndërtuar pas 12 vjetësh është përcjellë me probleme të shumta. Por nuk është projekti i vetëm i zvarritur. Telashe në përfundim të punimeve ka pasur edhe në shumicën e palestrave që janë ndërtuar në Kosovë.