Sport

Joshua “këshillohet” që të mos dalë në rimeç me Usykun

Frank Warren beson se ende është i mundur një meç mes Anthony Joshuas dhe kampionit britanik të kategorisë së rëndë në boksin profesionist, Tyson Fury, me gjithë goditjen e madhe që mori Joshua të shtunën mbrëma.

Dueli unifikues i titujve të botës mes Joshuas dhe Furyt është përfolur gjatë, por është shtyrë disa herë. Warren, që promovon kampionin e WBC-së, Furyn, thotë se te dueli mund të vijë sërish, ndonëse Joshua ka humbur territor me humbjen nga Oleksandr Usyk. Ylli britanik, Joshua, ka mbetur pa tituj në versionet IBF, WBA, WBO dhe IBO.

Joshua ka thënë se do të shfrytëzojë të drejtën kontraktuale për rimeç me Usykun. Rimeçi me shumë mundësi do të mbahet në shkurt ose mars të vitit të ardhshëm në Mbretëri të Bashkuar. Por Warren thotë se ky do të ishte një gabim trashanik.

“Ai nuk duhet të jetë askund afër Usykut. Ai asnjëherë nuk do ta mposhtë Usykun”, ka thënë Warren për Daily Mail.

“Sa i takon duelit me Tyson Furyn, mund të ndodhë. Joshua ka mbetur pa brezat e kampionit dhe është dëmtuar goxha. Por njerëzit ende do ta dëshironin atë duel. Mund të ndodhë dhe mund të mbahet në Mbretëri të Bashkuar. Por ai nuk duhet të ketë rimeç me Usykun. Unë as që do ta mendoja një gjë të tillë nëse do të isha Joshua”.

Joshua është dominuar plotësisht nga Usyk që fitoi me pikë pas 12 raundeve. 117:112, 116:112 dhe 115:113 është vlerësuar fitorja e ukrainasit në stadiumin e Tottenhamit. Joshua asnjëherë nuk ka gjetur rrugë për të ndalur ukrainasin. Është kritikuar pas meçit që ka hequr dorë nga shfrytëzimi i gjatësisë dhe forcës në tentim për të mposhtur një nga boksierët më të lëvizshëm aktualisht.

Warren beson se Fury do ta shkatërronte Joshuan në pjesën e parë të duelit, nëse do të ishte në këndin e kundërt.

“Mendoj se paraqitja e Joshuas ishte e zbehtë. Nuk mori asgjë nga Usyku, që ishte brilant. Joshua ishte i zbehtë. Çka ka bërë ai duke ecur drejt ringut? Ai ka folur dorë më dorë me njerëzit në stadium. Ky është dashur të jetë një mision. Tyson Fury do ta shkatërronte për tri apo katër raunde. Tysoni ka punë të shkëlqyeshme të këmbëve. Ka duar të shpejta si Usyk dhe është më i madh. Do ta shkatërronte Joshuan”.

Edhe Joshua ka thënë se mund të ndeshet me Furyn, ndonëse nuk i ka titujt. Sipas tij, njerëzit e duan një duel të dy britanikëve. Por Joshua prioritet e ka duelin e dytë me ukrainasin.

Ai i kishte humbur titujt edhe në vitin 2019 nga Andy Ruiz. Por e kishte mposhtur këtë boksier në fund të 2019-s. Prej atëherë ka fituar edhe ndaj Kubrat Pulevit, në dhjetor të vitit të kaluar. Por ka hasur në rezistencë të hatashme nga Usyk, që fitoi bindshëm.