Sport

Donjeta ndryshon trajnerin, mbetet e vendosur për sukses në Paris

Pati shumë dilema nëse Donjeta Sadiku do ta vazhdojë karrierën si boksiere apo do të tërhiqet pas Lojërave Olimpike “Tokio 2020”. Boksierja më e mirë në vend nuk ishte deklaruar për një kohë dhe kjo ngjalli dilema. Por, dilema nuk kishte në kokën e 22-vjeçares.

Ajo ka qenë e heshtur para, gjatë dhe pas Lojërave Olimpike, ku Kosova fitoi dy medalje të arta falë xhudisteve Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Vetë Donjeta ishte ndalur në luftën e parë, duke mos shfaqur thuajse asgjë nga potenciali.

Sadiku vetëm të enjten ka thyer heshtjen dhe ka treguar planet e saj. Ajo për KOHËN ka pranuar se ka qenë e dëshpëruar, por kurrë nuk e ka pasur në mendje tërheqjen nga sporti i boksit. Madje, thotë se është më e motivuar se kurrë më parë.

“Pas një periudhe pushimi, po ndihem mirë. Tani jam duke stërvitur dhe ndihem e motivuar. Kam qenë e dëshpëruar, sepse kam pritur të kthehem me medalje nga Tokio, por asnjëherë nuk kam menduar të tërhiqem nga boksi”, ka thënë Donjeta Sadiku të enjten për KOHËN.

Ajo më nuk është pjesë e klubit të boksit “Gollaku”. Është larguar nga klubi ku u zhvillua si boksiere, nën drejtimin e trajnerit Besim Brahimi.

“Tash e tutje trajnerja ime do të jetë Marjola Sallauka dhe ende nuk ka diçka vendimtare për krijimin e një klubi. Jam duke stërvitur në një sallë private, e cila i plotëson të gjitha kushtet për stërvitje”, ka treguar Sadiku.

Sallauka së fundi kishte punuar bashkë me Brahimin në klubin “Gollaku”.

“Pas Lojërave Olimpike vazhdoi me synime dhe qëllime të tjera. Do të jem aktive deri në realizimin e ëndrrave të mia”, është shprehur Sadiku.

Ajo thotë se kishte dyshime nëse do të mund të arrinte majat e boksit ndërkombëtar nën drejtimin e Brahimit.

“Pas një kohe reflektimi kam vendosur të mos vazhdoj më. Arsyet janë sepse nuk mendoj që mund të arrij t’i realizoj më tutje qëllimet dhe synimet e mia në karrierë. Planet e mia kanë ndryshuar dhe do të ndryshojnë edhe shumë gjëra deri në Lojërat Olimpike”, është shprehur Sadiku.

Sadiku ka nisur stërvitjet me synime edhe më të mëdha. Pra, jo vetëm të marrë pjesë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, por të fitojë medalje.

Edhe në Tokio kishte besim se mund të fitonte medalje, por u ndal në meçin e parë. Donjeta nuk kishte fat në short duke u përballur me britaniken e re dhe të nivelit të lartë, Caroline Dubois. Dubois ka dominuar plotësisht në ring në kategorinë deri në 60 kilogramë. Sadiku mori pjesë në Lojërat Olimpike me ftesë.

“Synimi im ka qenë medalja. Nuk mendoj që ka qenë mungesë përvoje, mirëpo lëndimi që kam pasur në kualifikime më ka zgjatur gjithë periudhën përgatitore. Lëndimi ka ndikuar shumë gjatë faze përgatitore”.

Për shkak të një lëndimi të dorës, Donjeta nuk ka pasur përgatitjet më të mira para “Tokio 2020”.

Ajo thotë se pjesëmarrja në Lojërat Olimpike ka qenë eksperienca më e veçantë në karrierë.

“Lojërat Olimpike janë një eksperiencë, të cilën unë e kam pritur tërë jetën time. Edhe pse nuk shkoi ashtu siç unë kam pritur dhe e kam dëshiruar, gjithsesi mbetet eksperienca më e veçantë në karrierë. Në fshatin olimpik të gjitha kushtet kanë qenë të mira, si dhe gatishmëria e stafit të Komitetit Olimpik të Kosovës për ofrimin e ndihmës. Kujdesi ndaj nesh ka qenë në nivelin e lartë”, ka thënë Sadiku.

Ajo ka pasur suksese kulmore te të rejat, duke fituar medalje evropiane e botërore. Por, te të rriturit nuk ka vazhduar njëjtë.

“Besoj se sukseset nuk do të më mungojnë edhe si seniore ashtu siç besoj se do të kualifikohem me normë në Paris”, është e bindur Donjeta.