Sport

Pochettino kërkon durim për ekipin e tij të mbushur me yje

Descriptive Text

Reagimi në Francë ndaj ekipit të Paris Saint-Germainit pas rezultatit të papritur në mesjavë kundër Club Brugget në Ligën e Kampionëve ka qenë i pafalshëm.

PSG-ja, ekipi i ri galaktik i futbollit, u vlerësua “fantazmë” nga e përditshmja sportive “L’Equipe”, pasi shpëtoi me barazimin 1:1 kundër kampionit të Belgjikës, në atë që ishte ndeshja e parë e Lionel Messit si startues te Parisi. Messi luajti përkrah Kylian Mbappes dhe Neymarit për herë të parë, por, siç shkroi “Le Parisien”, “ëndrra për të parë tandemin ‘MNM’ së bashku pothuajse u shndërrua në një makth”.

Një barazim përballë ekipit me të dobët në Grupin A të Ligës së Kampionëve, të cilin e përbëjnë edhe Manchester City e Leipzigu, e vendos skuadrën e Mauricio Pochettinos – që ishte vlerësuar në mesin e favoritëve kryesorë para fillimit të garës për ta fituar trofeun e çmuar evropian – në situatë të vështirë për të kaluar fazën e grupeve.

PSG-ja do të luajë me Manchester Cityn në ndeshjen e ardhshme dhe ende duhet të përballet me Leipzigun, dy skuadra këto që e mposhtën skuadrën franceze sezonin e kaluar në Ligën e Kampionëve. Përballja ndaj Brugge shërbeu si kujtesë se klubi në pronësi të familjes së pasur nga Katari nuk mund të mbështetet thjesht te Messi, Neymari dhe Mbappe për të fituar ndeshjet, edhe nëse këta të fundit kombinuan përpara se Ander Herrera ta kalonte në epërsi Parisin. Pochettinos përfundimisht i munguan shumë në mesfushë Idrissa Gueye dhe Marco Verratti, që ishin të lënduar. Angel di Maria ishte i suspenduar ndërsa në mbrojtje Sergio Ramos ende nuk e ka asnjë paraqitje për PSG-në për shkak të dëmtimit.

“Ne duhet të përmirësohemi, ne e dimë këtë”, pranoi Pochettino të premten. Ne kemi një skuadër madhështore, por kemi nevojë për ekuilibër, për të qenë kreativë në sulm, por të fortë në mbrojtje. Ne kemi nevojë për kohë dhe durim që ta arrijmë këtë”.

Në Francë po insistojnë se është shqetësuese kur PSG-ja krahasohet me Manchester Cityn e Pep Guardiolës, që e mposhti Leipzigun 6:3 në mesjavë dhe do ta vizitojë Parisin në fund të këtij muaji. Megjithatë, deri atëherë Messi të paktën duhet t’i ketë edhe tri ndeshje të tjera për t'u mësuar me shokët e tij të rinj të skuadrës, duke filluar që nga takimi i së dielës në shtëpi me Lyonin, testi më i madh i PSG-së këtë edicion në kampionat.

Messi deri më tani në elitën franceze ka vetëm 24 minuta lojë. U inkuadrua si zëvendësues ndaj Reimsit, në fund të muajit të shkuar. PSG-ja ka një bilanc perfekt deri më tani në Ligue 1, duke regjistruar pesë fitore në po aq ndeshje të luajtura dhe ka shënuar në total 16 gola. Ekipi i Pochettinos tani përballet me Lyonin, një ekip që është në formë dhe këtë e konfirmoi të enjten mbrëma kur triumfoi në Skoci ndaj Rangersit (2:0) në kuadër të Ligës së Evropës.

Lyoni ka shtatë pikë më pak se PSG-ja dhe zë vendin e shtatë në tabelë. Te Lyoni në këtë ndeshje pritet të luajnë prej fillimi edhe përforcimet e verës, Xherdan Shaqiri e Jerome Boateng. Qendërmbrojtësi 33-vjeçar që e fitoi Kupën e Botës me Gjermaninë, Boateng, iu bashkua Lyonit si lojtar i lirë gjatë verës dhe firmosi kontratë dyvjeçare, pas largimit nga Bayerni. Boateng, i cili ishte i rregullt te Bayerni sezonin e kaluar, bëri debutimin e tij te Lyoni në fitoren 3:1 kundër Strasbourgut javën e kaluar dhe ishte titullar ndaj Rangersit. Ish-lojtari i Manchester City ka pasur çështje të tjera për t’u shqetësuar qëkur mbërriti në klubin francez pasi javën e kaluar iu dha një gjobë prej 1.8 milionë eurosh nga një gjykatë gjermane për sulmin ndaj një ish-të dashurës, tre vjet më parë.

Duke kërkuar të përqendrohet në futboll përballë problemeve të tij ligjore, Boateng do të ketë punë kundër sulmit të PSG-së, të dielën mbrëma, në stadiumin “Parc des Princes”.