Sport

Basketboll, xhiroja e dytë me ndeshje interesante

Në xhiron e dytë të Superligës së Kosovës në basketboll, do të ketë ndeshje interesante. Kjo xhiro nis të shtunën me dy ndeshje dhe mbyllet të dielën, me dy ndeshjet tjera.

Dueli i parë, i cili edhe e hap javën e dytë është ai ndërmjet Rahovecit dhe Dritës, ekipe që kanë regjistruar humbje në xhiron e parë.

Ndeshja luhet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec. Po ashtu të shtunën, por prej orës 19:00, zhvillohet derbi i vjetër ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës.

Ndërkohë, ndeshjet edhe të dielën do të zhvillohen në orarin e njëjtë.

Në Mitrovicë, skuadra e Trepçës përballet me Prizrenin-16 prej orës 17:00. Këto dy ekipe u patën takuar edhe në finalen e Superkupës së Kosovës, në të cilën triumfoi ekipi prizrenas.

Kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli do ta kërkojë fitoren e parë këtë sezon kur prej orës 19:00 përballet me Bashkimin që pësoi thellë në ndeshjen e parë nga Peja.

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), gjithashtu ka njoftuar së ndeshjet e xhiros së dytë, do të lejohen nga 100 shikues duke respektuar masat anti-Covid.