Sport

Challandes për KOHËN: Telashet i kemi lënë prapa, e ardhmja është e ndritur

Paraqitjet e Përfaqësueses së Kosovës në ndeshjet e këtij muaji, e sidomos ndeshja me Spanjën, i kanë dhënë sinjale pozitive përzgjedhësit Bernard Challandes për të ardhmen.

Në një intervistë për KOHËN, të enjten, Challandes ka thënë se shpreson që këto paraqitje të jenë fillimi i një procesi të ri për Kosovën.

“Dardanët” të mërkurën mbrëma u mposhtën nga Spanja në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me rezultatin 2:0, por lëshuan disa raste të arta shënimi dhe kishin një paraqitje dinjitoze. Humbja nga Spanja erdhi pas barazimit 1:1 ndaj Greqisë në shtëpi dhe fitores 1:0 në udhëtim te Gjeorgjia. Prej tri ndeshjeve të këtij muaji, Kosova ka tubuar katër pikë, që janë të parat në këtë cikël eliminator për Botërorin e vitit të ardhshëm. Kosova zë vendin e katërt në Grupin B. Ka dy pikë më pak se Greqia që është e treta dhe pesë më pak se Suedia që renditet e dyta. Grupit i prinë Spanja me 13 pikë, ndërsa Gjeorgjia është e fundit në tabelë me vetëm një pikë pas pesë ndeshjeve të luajtura.

“Është më se e qartë që jam shumë i kënaqur me ekipin dhe paraqitjet që i patëm në të tri ndeshjet. Kështu që mund të them se pati reagim pozitiv të ekipit dhe për këtë jam shumë i lumtur. Mendoj se ishte shumë e rëndësishme të bëjmë lojë të mirë në Gjeorgji dhe nuk ishte aspak lehtë të fitojmë. Ekipi luftoi dhe luajti mirë, ndoshta nuk luajti në mënyrë perfekte, por pati motivimin e duhur dhe taktikisht ishte shumë mirë”, u shpreh Challandes për KOHËN.

“Pas këtij triumfi e patëm përballë Greqinë, një kundërshtare aspak e lehtë dhe dëshmia më e mirë për këtë është fitorja e grekëve ndaj Suedisë. Luajtëm futboll të mirë dhe pozitiv, sulmuam përballë një mbrojtjeje të ngjeshur dhe morëm një pikë. Në fund, isha shumë i lumtur sepse ekipi nuk u dorëzua për asnjë moment, por u mundua ta mbajë topin, të krijojë raste, të jetë kompakt dhe bëri presing. Ishte e mundur të fitojmë ndaj Greqisë dhe të kemi dy pikë më shumë, por edhe një pikë është gjë pozitive”.

Edhe pse Kosova në dy ndeshjet e para mori rezultate pozitive – një fitore e një barazim – paraqitjen ndaj Spanjës, Challandes e vlerëson si më të mirën gjatë këtij muaji. Lojën e mirë të ekipit, Challandesit ia konfirmuan edhe përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique dhe kapiteni Sergio Busquetsi pas përfundimit të ndeshjes. Si Enrique ashtu edhe Busquets ia kanë pranuar Challandesit se Kosova i bëri të vuajnë shumë. Challandes pohon se Kosovës golin ia mohoi portieri Unai Simon që ishte në nivel të lartë.

Lëvdatat nga Enrique e Busquets

Të gjitha vlerësimet ishin pozitive për paraqitjen e Kosovës ndaj Spanjës, me gjithë disfatën 2:0. Kosova ishte në lojë deri në fund. Golin e dytë e pësoi në minutën e 88-të.

“Përfundimisht ndeshja me Spanjën ishte më e mira, por për fat të keq nuk arritëm të shënojmë dhe nuk morën një rezultat të mirë apo të paktën edhe një pikë që mendoj se e kishim merituar plotësisht. Patëm raste të mira shënimi, kontrollin e lojës dhe sulme të mira ndaj Spanjës. Ekipi luajti fort, një lojë kolektive, sidomos në mbrojtje. Nuk ishim fare në rrezik nga Spanja në pjesën e dytë dhe lëshuam raste të arta shënimi”, shtoi Challandes. “Pas ndeshjes, Luis Enrique m’u afrua dhe e pranoi që ekipi i tij pati probleme të mëdha. Më përgëzoi për paraqitjen dhe ngjashmërinë e lojës me ekipin e tij. Ai shtoi që Spanja nuk e pati aspak të lehtë ta sigurojë fitoren dhe për këtë jam shumë i lumtur. Edhe Busquetsi erdhi dhe më tha që e patën shumë të vështirë”.

Lëvdatat e kundërshtarëve kanë bërë që edhe Challandes të pranojë se paraqitja ndaj Spanjës ishte njëra prej më të mirave prejse është në krye të skuadrës. Megjithatë, ai insistoi se nuk mund ta veçojë si më të mirën prej të gjitha ndeshjeve të tij vetëm për një arsye, atë të mosshënimit të paktën të një goli.

“Bazuar në këtë, kjo mund të jetë ndër ndeshjet më të mira për Kosovën nëse do të kishim shënuar. Por, ne i patëm rastet që nuk i konkretizuam. Po të kishim shënuar nuk do të frikësohesha të them se kjo ishte ndeshja më e mirë e Kosovës me mua. Por, pasi nuk shënuan nuk mund ta them. Megjithatë, është shenjë e mirë për të ardhmen”, insistoi Challandes. “Padyshim se ishte loja më e mirë kundër ekipit më të fortë që e kemi pasur prejse jam në krye të Kosovës. Spanja e luan futbollin më të mirë aktualisht, dhe mua më pëlqen kjo lojë. Do të thotë se nuk është lehtë të luash kundër saj, por jam krenar me atë që treguam në fushë. Të bëjmë një paraqitje të tillë ndaj Spanjës, që u frikësua nga Kosova deri në minutën e fundit, është diçka pozitive. Madje, Enrique inkuadroi më shumë mbrojtës në fund të ndeshjes. Për Kosovën ishte një paraqitje shumë e fortë dhe jo vetëm në fazën defensive, por edhe ofensive. Spanja pati shumë probleme, por Unai Simon ishte fantastik në situatat një me një. Kjo sjellje e Kosovës më pëlqeu sepse luajti me kurajë, ndërtoi lojë, qarkulloi topin gati si Spanja për shkak se nuk doja vetëm të mbroheshim dhe ta largonim topin. Sa herë e kishim topin, mundoheshim të ndërtonim aksionin. Sulmuesit nuk patën përfundim të mirë, por u angazhuan”.

Edhe pse është i kënaqur me paraqitjet në tri ndeshjet e këtij muaji, Challandes një gjë të tillë nuk mund ta thotë edhe për rezultatet. Ai thotë se ishte e mundur që të marrin të paktën edhe tri pikë më shumë, duke aluduar në një fitore me Greqinë dhe barazim eventual me Spanjën. Challandes shtoi se me ndeshjet e këtij muaji është i bindur se “Dardanët” kanë filluar ta ndryshojnë edhe mentalitetin, për të cilin foli në fillim të këtij muaji kur ekipi nisi të grumbullohej. Sipas tij, Kosova tashmë ka filluar ta përqafojë konceptin e tij të ri të lojës që e aplikoi ndaj Spanjës.

“Mund të jem shumë i lumtur me tri ndeshjet, por jo me pikët dhe rezultatet sepse ishte e mundur të marrim deri në tri pikë më shumë. Për mua, më e rëndësishmja ishte se treguam lojë të mirë. Kam folur për mentalitetin në fillim të grumbullimit, por për mua mentaliteti ka të bëjë edhe me taktikën dhe mënyrën se si luajmë. Pra, në të njëjtën kohë të vrapojmë, të luftojmë, të luajmë më shumë kolektivisht, të jemi më të bashkuar në çdo aspekt. Dhe, kjo do të ishte e mundur vetëm nëse të gjithë lojtarët mund ta bënin një gjë te tillë. Të gjithë duhet ta ndihmojnë ekipin dhe ta pranojnë rolin e tyre”, tha Challandes. “Kemi filluar me disa koncepte taktike dhe mentale, që për mua janë të përziera. Me Spanjën kemi parë procesin e mbrojtjes me 11 lojtarë dhe ishte shumë mirë. Ekipi provoi të luajë me këtë filozofi dhe kjo është një shenjë e mirë”.

Ndeshjet e tetorit

Në përgjithësi, Challandes grumbullimin e këtij muaji e quajti të frytshëm pavarësisht kohës së shkurtër që e pati për të punuar me ekipin. Mirëpo, ai insistoi se Kosova dëshmoi se mund të luajë futboll modern, gjë që do ta aplikojë edhe në ndeshjet tjera, ato të muajit tetor dhe nëntor.

“Për mua ishte shumë i rëndësishëm ky grumbullim. Është i rëndësishëm për të ardhmen tonë, progresin e ekipit. Dëshmuam se mund të luajmë futboll dhe kjo është mënyra ime e lojës. Unë dua futboll pozitiv dhe sulmues, por gjithashtu modern. Nëse këtë e bëjmë në secilin grumbullim dhe në çdo ndeshje, atëherë do të kemi reagime edhe më të mira. Tani e kemi rregull në ekip që të veprojmë kështu. Nuk kemi pasur shumë kohë për stërvitje, por shikuam më shumë xhirime dhe patëm më shumë teori, ku lojtarët ishin të interesuar dhe të lumtur për të luajtur një futboll të tillë. Kjo është më shumë e rëndësishme për mua si trajner sesa tri pikët pasi është për të ardhmen”, theksoi Challandes. “Kemi marrë katër pikët e para në këto kualifikime, por duhet të shikojmë kah e ardhmja. Për mua nuk ka rëndësi të jemi të tretit apo katërtit në grup. Do të jetë mirë nëse jemi të tretit, do të isha i lumtur. Por, më e rëndësishme është që në tetor, kur i kemi dy ndeshje të vështira, të luajmë mirë”.

Challandes shtoi se deri në fund të këtij cikli eliminator të Botërorit, Kosova do të mund të përgatitet mirë për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, pasi tashmë ka krijuar një kontingjent të mirë të lojtarëve. Madje, shtoi se ka ndërtuar një ekip të ri, i cili mund të jetë në një nivel me Slloveninë, Sllovakinë e Greqinë.

“Në tetor dhe nëntor është e rëndësishme të luajmë ndeshje të mira dhe të përgatitemi për Ligën e Kombeve, me një kontingjent të mirë të lojtarëve që janë të gatshëm të luajnë dhe kanë nderin ta bartin fanellën. Vetëm me këtë sjellje ne mund të përparojmë më shumë. Isha pak i dëshpëruar në vitin 2020, sepse kishim shumë probleme. Tani i kemi lënë pas vetes të gjitha këto probleme dhe tani kam ndjenjën se kemi ndërtuar një ekip të ri të Kosovës për të ardhmen. Dhe, më e rëndësishmja në këtë kampanjë është që këtë formë të mirë dhe progresin duhet ta konfirmojmë në ndeshjet që na presin. Mendoj se Kosova mund të ketë rezultate të mira dhe të luajë në një nivel më të lartë. Kemi pasur rezultate të mira, por jo ekipe të forta. Pastaj telashe kishim me ekipe mesatare, por mund të jemi në këtë grup me Slloveninë, Sllovakinë, Greqinë. Të bëjmë ndeshje të mira, të luajmë mirë dhe të jemi kundërshtarë të fortë për ekipet tjera. Shpresoj të jetë fillim i një procesi të ri”, shtoi Challandes. “Gjithashtu, i pamë disa lojtarë të rinj dhe e ardhmja është premtuese. Edhe disa tjerë nuk i kemi parë ende në fushë. Por, tani niveli i ekipit është më i lartë. Dhe, nëse nuk luan një lojtar i rëndësishëm, nuk ka problem sepse kemi zëvendësimin e duhur. Kjo është gjë e mirë. Tani, kemi një ekip të vërtetë me një konkurrencë pozitive dhe është shumë mirë për zhvillimin e Kosovës”.

Për fund, Challandes tha se shpreson që ndeshjet tjera Kosova t’i luajë me numër më të madh tifozësh në stadiumin “Fadil Vokrri” pasi, sipas tij, ata po e ndihmojnë shumë ekipin. Tekniku zviceran shpreson që fillimisht situata me pandeminë të përmirësohet dhe tifozët të kthehen me numër më të madh në tribuna.