Sport

Hadërgjonaj e sheh të rëndësishëm duelin me spanjollët

Mbrojtësi i krahut, Florent Hadërgjonaj, ka insistuar se Kosova do të jetë gati për duelin eliminator kundër Spanjës që luhet të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Hadërgjonaj e ka vlerësuar si ndeshje shumë të rëndësishme dhe ka thënë se synimi është që të bëjnë diçka historike përballë Spanjës favorite.

“Ndeshje e rëndësishme, shumë e madhe. Na pret dueli me Spanjën, ekipin më të mirë në botë ndër vite. E kemi parasysh se është një ndeshje e jashtëzakonshme, po e presim me padurim. Mund ta tregojmë veten si ekip dhe besoj se do të jemi gati për këtë duel. Spanja ka shumë cilësi dhe këtë e dinë të gjithë. Është një ndeshje e madhe, ne e kemi rastin pasi luajmë në shtëpi dhe dëshira është të bëjmë diçka historike. Shpresoj të jemi të përgatitur mirë dhe si ekip të bëjmë diçka historike kundër Spanjës”, ka thënë Hadërgjonaj.