Sport

Xhaka pozitiv me koronavirus

Mesfushori kosovar Granit Xhaka, është testuar pozitiv me koronavirus, raporton Federata e Futbollit të Zvicrës.

Njoftimi ka ardhur para ndeshjes miqësore të Zvicrës me Greqinë në Basel.

“Granit Xhaka nuk do të jetë në dispozicion të Zvicrës për ndeshjen kundër Greqisë. Kapiteni i përfaqësueses ka rezultuar pozitiv me koronavirus”, ka njoftuar Federata Zvicerane. “Në mëngjesin e ndeshjes Xhaka ka ndjerë simptome, ndërsa është izoluar në dhomë. Është bërë një test rapid ku ka rezultuar negativ, por si masë është bërë edhe një test PCR dhe rezultati ka qenë pozitiv”.

Xhaka gjithë ditën nuk ka qenë në kontakt me bashkëlojtarët.

“Të enjten do ta bëjë një test tjetër PCR. Mjeku i kantonit të Baselland nuk ka urdhëruar për pjesën tjetër të ekipit masa, pasi lojtarët tjerë të përfaqësueses A janë të vaksinuar apo edhe e kanë kaluar virusin. Një anëtar i stafit duhet të futet në karantinë”, ka thënë Federata e Zvicrës.