Sport

Van Gaali synon ta bëjë Holandën kampione të botës

Foto: AP
 

Dy javë brenda periudhës së tretë si përzgjedhës i Përfaqësueses së Holandës, Louis van Gaal ka një qëllim të qartë: “Të bëhet kampion bote”. Mirëpo ai pranoi të martën se nuk do të jetë e lehtë me kohë shumë të kufizuar për të përgatitur ekipin e tij për tri ndeshjet kualifikuese vendimtare për Kampionatin Botëror “Katari 2022”, që do t’i luajë muajin e ardhshëm. Holanda arriti në tri finale të Kampionatit Botëror – 1974, 1978, 2020 - dhe i humbi të gjitha. E fitoi vetëm Kampionatin Evropian në vitin 1988. Van Gaal në këtë post e zëvendësoi Frank de Boerin, i cili u largua pas eliminimit të Holandës në 1/8 e finales të Kampionatit Evropian nga Përfaqësuesja e Çekisë. Në stilin tipik të vetëbesimit, Van Gaal është më se i bindur se Federata e Futbollit të Holandës ka bërë zgjedhjen e duhur që e ka emëruar përzgjedhës.

“Unë kam bërë gjithmonë gjithçka për të ndihmuar futbollin holandez dhe mendoj se nëse do të isha në pozicionin e federatës, sërish do ta kisha zgjedhur veten”, tha Van Gaal, 70-vjeçar, në konferencën e tij të parë për shtyp.