Sport

La Liga kthehet me probleme financiare dhe pa Messin

La Liga, që vetëm tre vjet më parë ishte “monarku” i padiskutueshëm i futbollit evropian, kthehet për një sezon të ri pas një vere traumatike që përfundoi me dhënien e xhevahirit të saj.

Transferimi falas i Lionel Messit te Paris Saint-Germaini konfirmoi krizën financiare të futbollit spanjoll. Pandemia e koronavirusit u ka kushtuar klubeve të nivelit të lartë rreth 2 miliardë euro dhe dëshpërimi po shfaqet. Liga po përpiqet të zbatojë një kufi të ashpër të pagave, ndërsa kërkon fonde. Asambleja e saj të enjten e votoi shitjen e 10 për qind të të drejtave tregtare për 50 vjet te firma e aksioneve private “CVC”, në këmbim të 2.7 miliardë eurove. Ndonëse u votua kjo marrëveshje, Real Madridi, Barcelona e Athletic Bilbao janë kundër, duke thënë se La Liga po e shet të ardhmen e tyre.

Ashtu si Barcelona, edhe Real Madridi u detyrua të mos ia rinovonte kontratën kapitenit Sergio Ramos, që iu bashkua PSG-së. Barcelona këtë verë është fokusuar te transferimet falas dhe tashmë ka siguruar Sergio Agueron, Memphis Depayn e Eric Garcian. Ndërkohë edhe Reali ka bërë një lëvizje të tillë, duke siguruar shërbimet e David Alabas, por ka humbur edhe Raphael Varanen.

Reali në sezonin e ri do të udhëhiqet nga Carlo Ancelotti, që zëvendësoi Zinedine Zidanen e larguar. Italiani duhet të përballet me pasojat e varësisë së gjatë të klubit nga blerjet dhe të përcaktojë se çfarë të bëjë me lojtarët e kthyer nga huazimet: Gareth Bale, Martin Odegaard dhe Dani Ceballos. Ndeshjen e parë Reali e luan të shtunën mbrëma në udhëtim ndaj Deportivo Alavesit. Ndërkohë, të dielën në “Camp Nou”, Barcelona e pret Real Sociedadin.

“Duhet të kuptojmë se gjithmonë i vjen fundi një lojtari. Ne tashmë e kemi mbyllur librin në lidhje me Messin. Tashmë i kemi lojtarët e rinj dhe po shikojmë përpara. Kemi lojtarë të rinj në ekip dhe besoj se jemi gati për sezonin e ri”, është shprehur trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman.

Duke pasur parasysh vështirësitë e Barcelonës dhe Realit, skuadra e Atletico Madridit mbetet favorite për ta mbrojtur titullin e kampionit. Atletico nuk ka pasur largime, por ka shtuar në ekip mesfushorin argjentinas Rodrigo De Paul. Ndeshjen e parë të sezonit të ri Atletico e luan të dielën mbrëma kundër Celta Vigos.

Në këtë duel, Atleticos do t’i mungojë sulmuesi kryesor Luis Suarez, i cili i është bashkuar ekipit me vonesë në fazën përgatitore dhe ende nuk është gati fizikisht për të luajtur.

“Kemi një ekip të stabilizuar dhe të fortë me përforcimet që kanë ardhur. Jemi të emocionuar për ndeshjen e parë, por synimi mbetet ta përsërisim suksesin e vitit të shkuar. Besoj se kam një ekip të fortë dhe konkurrues”, ka thënë trajneri i Atleticos, Diego Simeone.