Sport

Messi ishte kthyer dje nga pushimet për ta nënshkruar rinovimin me Barcelonën

Lionel Messi është në gjendje shoku dhe për momentin nuk ka në plan të bëjë ndonjë reagim publik, sipas burimeve pranë ish-kapitenit të Barcelonës, që janë transmetuar nga Mundo Deportivo.

Argjentinasi është i qartë se nuk dëshiron të largohet pa iu thënë lamtumirë tifozëve, por ai do që të kalojnë disa orë nga ky lajm që gjendja disi të qetësohet pak.

Messi është vërtet i prekur, sipas këtyre burimeve. Ai u kthye dje nga Ibiza për të nënshkruar kontratën e re me Barcelonën. Klubi i ka siguruar se gjithçka ishte gati për t’u formalizuar, por marrëveshja nuk u nënshkrua.

Sot, Messi ka marrë njoftimin se nuk mund të rinovonte kontratën me Barçën për shkak të kufizimeve nga La Liga.

Një lamtumirë e papritur për të gjithë dhe që hap një kapitull të ri në të ardhmen e tij.

Tani Messi, i cili nuk kishte negociuar me asnjë klub tjetër, duhet të ridrejtojë dhe të rifillojë karrierën e tij larg nga ‘’Camp Nou’’.