Barcelonë, 2 gusht (AP) – Barcelona po i sheh disa shenja pozitive nga transferimi i ri, Memphis Depay, derisa po vazhdon ta presë yllin argjentinas, Lionel Messi.
Messi ende nuk e ka firmosur vazhdimin e kontratës, por Depay tashmë ka treguar se mund të jetë një përforcim i madh në repartin e sulmit për sezonin e ri. Futbollisti i Holandës është përshtatur shumë mirë në sulm me Antoine Griezmannin gjatë ndeshjeve parasezonale dhe përfundimisht pritet të jetë një armë ofensive për trajnerin e Barcelonës, Ronald Koeman.
“Lidhja e tij me Antoinen ishte e mirë. Ai na jep shumë si ekip me cilësitë që ka”, ka thënë Koeman pas fitores së Barcelonës ndaj Stuttgartit, 3:0, në ndeshjen kontrolluese. “Ai i shton diçka tjetër këtij ekipi me lojën që bën, shpejtësinë dhe fuqinë që e ka”.
Depay shënoi kundër Stuttgartit dhe gjithashtu realizoi gol në fitoren 3:1 të Barcelonës ndaj Gironas, në një ndeshje tjetër kontrolluese para fillimit të sezonit 2021/22. Sulmuesi 27-vjeçar është kërkuar për një kohë të gjatë nga Koemani. Depay përfundimisht iu bashkua Barcelonës si lojtar i lirë nga Lyoni pas përfundimit të Kampionatit Evropian.
Koeman e ka njohur shumë mirë Depayn, të cilin e ka stërvitur në të shkuarën te Përfaqësuesja e Holandës.
“Njerëzit tashmë e njohin Memphisin, ai ka qenë pjesë e Manchester Unitedit dhe Lyonit. Ai është një golashënues i vërtetë”, insistoi Koeman.
Barcelona, trofeu i vetëm i së cilës sezonin e kaluar erdhi në Copa del Rey, gjithashtu e forcoi sulmin e saj këtë verë me veteranin Sergio Aguero nga Manchester City. Gjithashtu i riu Ansu Fati - i cili humbi pjesën më të madhe të sezonit të kaluar për shkak të një dëmtimi - do të kthehet, duke luftuar për një vend titullari së bashku me Ousmane Dembelen dhe Martin Braithwaiten. Braithwaite thuhet se mund të largohet nga “Camp Nou” pasi dështoi të siguronte një vend si titullar i padiskutueshëm sezonin e kaluar, kur Barcelona ishte pa Luis Suarezin që u transferua tek Atletico Madridi, ekip që e fitoi titullin e kampionit në La Liga.
“Do të ketë shumë konkurrencë mes lojtarëve, kjo është e rëndësishme”, tha Koeman. “Ne do të kemi edhe Agueron dhe shpresojmë që Leo të jetë përsëri me ne. Ne kemi nevojë për cilësi paraprakisht për të fituar ndeshjet. Këta lojtarë janë të rëndësishëm dhe mund të bëjnë diferencën në një ndeshje”.
Messi kërkoi të largohej nga Barcelona një vit më parë, por pritet të nënshkruante një kontratë të re pesëvjeçare. Ai dhe klubi kanë arritur një marrëveshje, por marrëveshja e re ende nuk është nënshkruar pasi lojtari argjentinas është në pushime pas pjesëmarrjes në Copa America, turne që e fitoi.
Messi u fotografua në ishullin spanjoll të Ibizës duke kaluar kohën në një varkë me Suarezin dhe miq të tjerë.
Barcelona e kishte hapur fazën parasezonale me fitoren 4:0 ndaj Nasticut. Ajo do të përballet me Salzburgun të mërkurën para se të luajë me Juventusin në turneun “Joan Gamper” në shtëpi. Ndërsa, ndeshjen e parë në edicionin 2021/22 në La Liga, Barcelona do ta luajë më 15 gusht kundër Real Sociedadit në “Camp Nou”.